Banorët do mund të hipotekojnë vetë pallatet e tyre edhe nëse firmat ndërtuese kanë falimentuar, nuk ekzistojnë më, apo neglizhojnë të përmbushin detyrimet ligjore.

Ministrja e Zhvillimit Urban ka qenë sot e pranishme në një trajnim të punonjësve të ALUIZNI-t lidhur me legalizimin e apartamenteve të cilat janë blerë nga banorët, por pa u pajisur me leje pronësie.

Ajo tha se banorët përmes disa procedurave mjaft të thjeshta do jenë në gjendje të legalizojnë vetë banesat, për të marrë përfundimisht certifikatat e pronësisë.

Drejtoresha e degës rajonale të ALUIZNI-t numër 2, Orjeta Myzeqari, tha se të gjitha detyrimet financiare do të bien mbi firmat e ndërtimit.

Qytetarët do të paraqesin vetëm dy dokumenta dhe nuk do të kenë asnjë kosto financiare.

Janë rreth 26 mijë deri në 30 mijë familje të cilat jo për faj të tyre, nuk kanë mundur të marrin hipotekën e pronës ku jetojnë.

Në të gjithë vendin numërohen rreth 1 320 pallate që preken nga ky vendim, 700 prej të cilave në territorin në administrim të bashkisë së Tiranës.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com