TIRANE - Gjykata e Apelit në kryeqytet më 31 Mars nis procesin ndaj pafajësisë që kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika fitoi pak kohë më parë në Gjykatën Penale.

Pafajësia e Gjikës u apelua nga Prokuroria e cila kërkoi që Gjika të dënohej me 4 vite burg dhe t’i hiqej e drejta e ushtrimit të funksioneve publike, pasi akuza e gjeti atë fajtor për falsifikim dokumentesh zyrtare e përkatësisht dy leje ndërtimi.

Përballë Gjykatës pritet të jenë dhe Eleni Dardha vartësja e Gjikës e cila po ashtu fitoi pafajësinë si dhe personat e akuzuar për ndërtim të paligjshëm.

Relator në këtë proces sipas faksimiles është Alaudin Malaj, njëherazi kreu i Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Pas këtij procesi ku në nëntor Gjika fitoi pafajësinë, qytetari i parë i Vlorës do të përballej sërish me Prokurorinë këtë herë me një tjetër proces por me akuzë të ngjashme si më parë leje ndërtimi false duke u arrestuar më 6 shkurt 2015.
Aktualisht me një vendim të Gjykatës së Vlorës Gjika fitoi lirinë duke u hetuar në gjendje të lirë, ndërkohë pas arrestimit ai përfundoi në spital ku dhe u zhvillua seanca e masës.

Por dhe ky proces është apeluar ndërsa Prokuroria e Vlorës kërkon rikthimin e tij në burg pasi sipas akuzës Gjika së bashku me drejtoreshën e planifikimit urban Doriana Sulaj kanë shpërdoruar detyrën.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)