Gjiknuri dhe kryebashkiaku Tafani takim me gratë dhe vajzat: Belshi do ecë përpara me projekte të jashtëzakonshme

 

“Kush do rritjen e rrogës, të pensioneve dhe që Belshi të vazhdojë zhvillimin që ka nisur, të votojë Arif Tafanin dhe PS”. Kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri në një takim me gratë dhe vajzat e Bashkisë Belsh.

Numri dy i socialistëve nënvizoi se falë investimeve të bashkisë dhe të qeverisë Rama, Belshi është kthyer në një atraksion turistik. “Belshi është kthyer në një markë që të gjithë shqiptarët jo vetëm në Shqipëri por edhe ata jashtë kufijve të Shqipërisë vijnë dhe e vizitojnë. Ky vend ka vetëm progres.  Na duhet që ta ‘çimentojmë’ mirë lidhjen bashki – qeveri, sepse pa mbështetjen e qeverisë shqiptare të gjitha këto gjëra që kanë transformuar Belshin nuk do të bëheshin. Edhe projektet e mëdha që kanë mbetur të fundit për Belshin do realizohen dhe Belshi do jetë një zonë bujqësore, turistike që të gjithë do ta kenë zili. Është shumë afër Elbasanit, është shumë afër Tiranës, është një nga zonat më të bukura”, deklaroi Gjiknuri.

Drejtuesi politik i qarkut u shpreh se vota për PS dhe kandidatin e saj është dhe mbështetje për politikat sociale të nisura nga qeveria “Rama”. “Me votën e 14 majit ne duhet të vlerësojmë edhe politikën e rritjes së pagave të qeverisë Rama. Politika e rritjes së pagave vlen pikërisht për të mbështetur të rinjtë dhe të rejat tanë, profesionistë, mjekë, infermierë, mësues, çdo njeri që punon në administratën publike. Përmes krijimit të mundësive dhe vendeve të punës me paga më të mira,  ne kemi mundësi që të ndërtojmë të ardhmen me njerëzit tanë këtu në Belsh. Paga mesatare synohet të shkojë në 900 euro vitin tjetër, do të thotë që të rinjtë dhe të rejat tanë kanë mundësi që të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe profesionistët të jenë në shërbimin tuaj. Rritja mesatare e pagës do të çojë automatikisht në rritjen e fondit të sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Kjo do të thotë që dhe pensionet do të rriten në mënyrë proporcionale”, theksoi Gjiknuri.

Kryebashkiaku Arif Tafani nënvizoi angazhimin e vajzave dhe të grave në vendimmarrje, duke qenë një zë i rëndësishëm në shoqëri. “Bashkia e Belshit gjithë këto vite e ka pasur derën të hapur për të mbështetur vajzat dhe gratë e Dumresë në gjithçka. Që nga punësimi, ku mund të deklaroj që mbi 40% e nëpunësve civilë dhe punonjësve të shërbimit janë gra dhe vajza.  Edhe në listën e këshillit, Partia Socialiste është brenda kuotës 50% me 50%. Pra nga 21 veta kemi 11 gra dhe vajza dhe 10 burra. Pra kemi tejkaluar dhe përqindjen sipas ligjit”, tha ai. 

Tafani siguroi se në mandatin e tretë do të realizohen një sërë projektesh të rëndësishme për të çuar përpara ekonominë. Një theks të veçantë, kryebashkiaku Tafani vendosi për investimet në bujqësi. “Vetëm për 6 vite ne kemi arritur të bëjmë Belshin tonë dhe Dumrenë të dalë nga hiçi dhe sot e vizitojnë mbi 3000 veta në javë. Mandati im i tretë do jetë i fokusuar i gjithi në drejtimin e bujqësisë. Pasi Bashkia e Belshit mbi 80% të popullatës merren me tokat. Ne do fokusohemi për ti ardhur në ndihmë çdo fermeri jo vetëm me pikat e grumbullimit që kemi ndërtuar në fshatin Seferan, nuk kemi ndërtuar pak, kemi ndërtuar 5 pika grumbullimi që do shërbejnë për grumbullimin, përpunimin dhe shitjen e të gjitha produkteve tona kryesore që nga rigoni, ulliri, vaji i ullirit, duhani, frutat dhe perimet. Është duke përfunduar tregu i fruta perimeve që do jetë përsëri një ndihmë e madhe që të gjitha ju dhe të gjithë fermerët e Dumresë të tregtojnë prodhimet e tyre bujqësore”, tha Tafani.

Kreu i Bashkisë së Belshit nënvizoi se projekti më i madh i 4-vjeçarit, të cilin e premtoi dhe kryeministri Edi Rama para pak ditësh, është ndërtimi i sistemit të ujitjes për të gjithë tokat e Dumresë. “Ashtu siç kemi realizuar Belshin dhe Dumrenë turistike, ujësjellësin e Dumresë, kjo është ëndrra e tretë që ne patjetër do ta realizojmë.  Bashkia e Belshit nuk ka asnjë qendër fshati të palidhur me asfalt me qendrat administrative dhe rrugën nacionale. Nga 2015-a ne kemi bashkuar energjitë me një njeri që e ka përzemër Belshin që quhet Edi Rama. Unë kërkoj votën tuaj si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe Edi Ramës sepse edhe për katër vitet e tjera do ta kemi mbështetje. Të kesh 1-shin dhe 2-shin e partisë, patjetër që Belshi do ecë përpara me projekte të jashtëzakonshme për katër vitet e ardhshme”, theksoi kryebashkiaku Tafani.


Lajmi kryesor:

Edhe dy ditë fushatë, kandidatët në terren, takime me qytetarët


G.MO/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë