Një situatë e tensionuar është regjistruar këtë të enjte në fshatin Samaticë të Dimalit, ku Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka ndërhyrë për prishjen e një sere bujqësore në pronësi të fermerit Qamil Oshafi.

Sipas IMT-së së Dimalit, objekti është ndërtuar në kundërshtim me rregullat, pasi nuk respekton distancën minimale prej 2 metrash nga prona fqinje, të përcaktuar me vendim të këshillit bashkiak. Në terren kanë qenë të pranishme edhe forca policie për zbatimin e vendimit.

Nga ana tjetër, fermeri e kundërshton ndërhyrjen, duke deklaruar se e ka ankimuar vendimin dhe se prishja nuk duhet të kryhet pa një vendim përfundimtar. Ai thotë se në zonat përreth ka shumë sera të tjera pa leje që nuk janë prekur.

Oshafi thekson se sera është burimi i vetëm i të ardhurave për familjen e tij dhe aktualisht është e mbjellë me tranguj në prag vjeljeje, me një vlerë rreth 50 milionë lekë. Sipas tij, edhe një ndërhyrje e pjesshme mund të shkatërrojë gjithë prodhimin.

Gjatë ditës së sotme, IMT ka hequr vetëm plastmaset anësore të serës dhe është tërhequr nga aksioni, ndërsa situata mbetet e paqartë. Fermeri apelon për ndihmë, duke paralajmëruar se prishja e serës do ta çojë drejt falimentimit.