TIRANE- Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për lëkundjet në zonën e Zhërëzës. Ky grup pune pritet të vlerësojë shqetësimin e banorëve të komunës Zharrëz të Fierit rreth fenomenit të lëkundjeve të tokës në zonën naftëmbajtëse.

Në një takim të organizuar në Ministrinë e Energjisë dhe Indrustrisë, të kryesuar nga zv.ministri Ilir Bejtja morën pjesë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), shoqërisë Albpetrol sha, Institutit të Gjeoshkencës, Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, zyrës CAO të IFC-së, përfaqësues të banorëve dhe të kompanisë Bankers Petroleum.

Gjatë takimit u diskutua për projektin teknik mbi monitorimin sizmologjik të aktivitetit në vendburimin e naftës në zonën e Patos Marinzës. Ndërkaq, grupi i punës ra dakord që me financimin e kompanisë “Bankers”, të mundësohet blerja dhe më pas vendosja, fillimisht e dy stacioneve sizmike në këtë zonë me qëllim monitorimin e lëkundjeve.

Ndërsa, përfaqësuesit e Departamentit të Sizmologjisë në Institutin e Gjeoshkencës parashtruan specifikimet teknike kryesore mbi rrjetin sizmologjik në zonën e Patos Marinzës ndërsa konstatuan zgjidhjen optimale për një monitorim të integruar instrumental në një kohë sa më të shkurtër.
 
Të dhënat që do të përftohen nga vendosja e stacioneve sizmike do të përpunohen dhe ndiqen nga ana e Institutit të Gjeoshkencës, Albpetrolit dhe AKBN-së. Procesi pritet që në një periudhë deri në 6 muaj nga vendosja e pajisjeve të japë të dhëna konkrete për shkaqet e lëkundjeve të tokës.

Sipas ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, grupi i punës do të analizojë shkaqet e lëkundjeve të tokës, dhe do të shihet nëse ato kanë apo jo lidhje me aktivitetin naftënxjerrës që kryen kompania “Bankers Petroleum”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)