TIRANE- Të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në rajonin krom mbajtës të Bulqizës do të jenë të detyruara të trajtojnë me pagesë punëtorët në zbatim të Kodit të Punës dhe detyrimeve që lindin prej kontratave të punës. Ka qenë kjo përgjigjja e dhënë nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ndaj shqetësimit të ngritur nga përfaqësuesit e sindikatës së minatorëve. Ministri Gjiknuri është takuar ditën e sotme me përfaqësues të sindikatës së minatorëve, Kol Nikollaj dhe Taf Koleci.

Sipas përfaqësuesve të sindikatës, shqetësimi i vetëm i punëtorëve që kanë nisur një grevë urie, ka të bëjë me çështjen e trajtimit me pagesë për periudhën gjatë të cilës subjektet e penalizuara do të jenë në kushtet e pezullimit të aktivitetit prodhues.

Gjatë këtij takimi, ministri Gjiknuri i informoi lidhur me masat e marra në kuadër të kontrollit të ushtruar në rajonin krom mbajtës të Bulqizës, sa i takon zbatimit të detyrimeve kontraktuale të subjekteve të licencuara dhe sidomos për kushtet e sigurisë në punë për punëtorët.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e minatorëve përshëndetën këto masa, ndërsa shprehën mbështetjen e tyre, duke shtuar se këto masa kanë si qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe në tërësi aktivitetit mineral nxjerrës në Bulqizë.

Ndërkaq, përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe të sindikatës së minatorëve do të jenë nesër në Bulqizë për të zhvilluar një takim me minatorët e ngujuar në grevën e urisë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)