TIRANE- Vjedhja e energjisë elektrike në vend regjistron nivele të larta, dhe sipas ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, kjo shifër e vjedhjeve shkon 100 deri 140 milionë euro. Duke theksuar se energjia është baza e zhvillimit ekonomik të një vendi, Gjiknuri tha se duhet të luftohet ky fenomen, dhe niveli i lartë i borxhit të krijuar, në mënyrë që mos dëmtohet ekonomia e vendit. Fjala e ministrit Damian Gjiknuri
 
“Energjia është një produkt i rregulluar, energjia është baza e zhvillimit ekonomik. Siç ka trupi i njeriut të domosdoshëm gjakun, ashtu është edhe energjia për vendin.
 
Në qoftë se të gjitha këto institucione shtetërore nuk mblidhen të gjitha bashkë për të luftuar fenomenin më të rrezikshëm, që ky vend humbet mbi 100 deri në 140 milion euro nga vjedhja e energjisë, atëherë të them të drejtën ne nuk kemi bërë asgjë.
 
Kjo barrë nuk mund të mbetet thjesht e një kompanie, kjo duhet të jetë një sfidë e vërtetë shtetërore. Ky është motivi i vërtetë pse ne e ngritëm këtë në një nivel shumë të lartë ndër institucional dhe pse Kryeministri i Shqipërisë e ka vënë këtë në një nga prioritetet e tij.
 
Në fund të fundit, kjo qeveri po nuk realizoi këtë, realisht do të jetë një dështim i madh për ekonominë e vendit. Një gjë që e kemi trashëguar keq dhe fatkeqësisht për ata njerëz që e projektonin Shqipërinë me atë termin tashmë komik “superfuqi energjetike”, në fakt kanë lënë një ngrehinë të shkatërruar, një gropë të madhe borxhesh, në një situatë shumë të rëndë përsa i përket hemorragjisë në këtë sektor. Kjo Task Forcë ka edhe një rëndësi tjetër për momentin që jemi. Siç besoj të gjithë qytetarët shqiptarë e kanë vënë re, fatkeqësisht Shqipëria ka hyrë në një vit të thatë. Reshjet kanë qenë 30% e mesatares së viteve të kaluara, që do të thotë që ne duhet të jemi shumë më eficient me konsumin e energjisë. Njëkohësisht, duhet të bëjmë çmos që ne të parandalojmë dhe të luftojmë çdo lloj abuzimi me vjedhjen e energjisë. Prandaj, kjo punë duhet të fillojë sa më shpejt dhe me goditje të përqendruar në ato zona që quhen ‘hot spote’”, tha Gjiknuri.
 
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri tha se do të reformohet sistemi i elektroenergjitik, me synim përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, por edhe minimizimin e vjedhjeve të enërgjisë dhe humbjet në rrjet.
 
Ministri Gjiknuri tha se do të rishikohet problemi i tarifave të energjisë elektrike dhe mënyrë se si ajo faturohet, ndërsa theksoi se duhet të rriten masat e ndëshkueshmërisë ndaj personave që vjedhin energjinë elektrike në masë të madhe.
 
“Ky është një krim, ndaj duhet mbështetja e policisë dhe prokurorisë. Ka ardhur momenti të rrisim masat e ndëshkueshmërisë për vjedhjet e energjisë në nivel të lartë.
 
Shumë shpejt me ministrinë e Drejtësisë do të përgatisim një paketë për ndryshimin e sanksioneve. Duhet të ketë masë për ndërhyrjen në sahatët, matësit e energjisë elektrike.
 
Do të shikojmë problemin e tarifave, mënyrën si faturohet energjia elektrike, do bëjmë ndërhyrje dhe përmirësimet e nevojshme në rrjet, do reformojmë sektorin elektroenergjitik”, tha Gjiknuri.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)