Të gjithë ata të rinj që ndjekin nëj shkollë të mesme do të kenë mundësi që të zgjedhin sa më shumë lëndë profesionale në të cilat ata të përfeksionojnë njohuritë e tyre. Kjo sipas udhëzimit të MASH, që ka rekomanduar shtimin e lëndëve për kurrikulën me zgjedhje të lirë. Dhe më konkretisht, në ndihmë të zbatimit të kurrikules me zgjedhje të lirë, Instituti i Zhvillimit të arsimit ka hartuar edhe 10 programe të reja të moduleve profesionale.

Sipas udhëzimit të MASh-it, i cili u ka shkuar tashmë të gjitha shkollave të vendit, drejtoritë e gjimnazeve duhet të informojnë nxënësit e prindërit e tyre për këto module sipas kushteve të shkollës, të përfshijnë në zbatimin e kurrikules me zgjedhje të lirë, modulet profesionale ku përfshihen “Punime të mirëmbajtjes dhe riparimit në banesa”, “Etika e të veshurit dhe arredimit”, “Veprimtari në shërbimin e klientit”, “Estetika dhe truku”, “Veprimtaritë bujqësore”, “Veprimtari ndihmëse në laborator”, “Kujdesi për kafshët e shoqërimit”, “Asistencë zyre”, “Përpunim i produkteve ushqimore”, si dhe “Punime të riparimit dhe mirëmbajtjes mekanike”.

Shkrimi u publikua sot (20.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)