GJIROKASTER - Dy fëmijë janë asfiksuar pasi kanë mbetur për rreth 30 minuta të bllokuar në ashensor. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 18 në Gjirokastër, ku dy fëmijë rreth moësh 15 vjeç u asfiksuan pasi mbetën të bllokuar në ashensorin e një pallati.

Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve të cilët bënë të mundur nxjerrjen e tyre nga ashensori duke shmangur në këtë mënyrë ndonjë tragjedi të mundshme. Fëmijët janë dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit rajonal të Gjirokastrës, ku pas ndihmës së parë të marrë, mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq nga ana e tyre, prindërit e fëmijëve janë shprehur të shqetësuar për situatën e ndodhur dhe kanë kërkuar që instancat përkatëse që të merren masa për mirëmbajtësit e ashensorit, për këtë ngjarje që për pak mund të kthehej në tragjedi.

Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, nisi punën për zbardhjen e plotë të ngjarjeve.  

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)