GJIROKASTER - Deklaratat nacionaliste të kryeministrit Berisha të bëra me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit, kanë rezultuar të pafalshme për socialistët minoritarë në Gjirokastër. Për kreun e Asamblesë Socialiste të Komunës së Dropullit Dhimitër Panajoti, kryeministri Berisha ka bërë deklarata të papërgjegjshme dhe jo në frymën e bashkëjetesës mes dy etnive që jetojnë së bashku në jug të vendit. Sipas tij dy ministrat Ksera dhe Tavo duhet të japin dorëheqjen pas këtyre deklaratave.

Panajoti në fjalë e tij tha:

“Më shqetësuese për ne minoritarët është heshtja dhe mos reagimi i Tavos dhe Kserës edhe deputetit Kosta Barka.

Dua t’ju drejtoj një pyetje këtyre politikanëve. Në ç’koordinata etniko - gjeografike e shohin veten e tyre këta, në lidhje me deklaratën e papërgjegjshme nacionaliste të shefit të tyre dhe kryeministrit të vendit Sali Berisha?”

Fjalën e tij Panajoti e mbylli duke thënë se kufinjtë e Shqipërisë janë në Evropën e bashkuar aty ku ne tentojmë të bëhemi pjesë e saj.

(ad.ti/shqiptarja.com)