Gjirokastër- Gjykata e Gjirokastrës dënon me 6 vite burgim ish-kreun e Kadastrës, Florian Taçi, të cilit në zyrën e tij avokatore iu gjetën një sërë dokumentesh dhe që kishin të bënin me databazën e Kadastrës, ku kishte punuar dhe në të cilën kishte akses për të vepruar dhe kryer falsifikime.
Gjithashtu janë dënuar edhe dy bashkëpunëtorët e tij Alban Memishaj dhe Julian Nakuçi.
Taçi akuzohet për falsifikim, mashtrim dhe shpërdorim i detyrës, ndërsa u arrestua më 28 Shkurt të këtij viti dhe më pas u la në arrest shtëpiak nga Apeli në muajin Mars, ku qëndron prej 7 muajsh.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ndaj tij zbret në 4,6 vite burgim. Gjykatësja Matilda Përralla vendosi t’i shpallte fajtorë të tre të pandehurit pasi dëgjoi më parë Prokurorinë. Me 4 vjet burg janë dënuar dy bashkëpunëtorët e Taçit.
Nisur nga kërkesa e të pandehurve që në seancën fillestare për gjykim të shkurtuar, llogaritet që Taçit t'i ulet 1/3 e dënimit, pra të dënohet me 4.6 vjet burg, duke përllogaritur këtu dhe 7 muajt që ka kaluar në arrest shtëpie gjatë kësaj periudhe.
Ndërsa Memisha dhe Nakuçi do të vuajnë 2,5 vjet burg në gjykim të shkurtuar. Mbi ish-kreun e Kadastrës së Gjirokastrës rëndojnë akuzat e falsifikimit, mashtrim dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.
Prokuroria kishte dhënë pretencën më 19 Nëntor të këtij viti.
Florian Taçi u arrestua në flagrance nga Policia e Gjirokastrës në 28 shkurt të këtij viti. Apeli në Tiranë i dha arrest shtëpiak, ndërsa prej ditës së sotme i kthehet në burgim dhe do pritet gjithashtu apelimi në shkallën e dytë.
Policia ka ushtruar kontroll në zyrën e tij avokatore në Gjirokastër, ku ka sekuestruar dokumente të shumta që i shfrytëzonte Taçi dhe që kishin të bënin me të gjithë databazën e Kadastrës së Gjirokastrës. Njëkohësisht Taçi kishte akses në këtë databazë online.
Ka qenë një operacion i përbashkët i mirëkoordinuar mes Policisë së Tiranës, asaj të Gjirokastrës, Prokurorisë dhe Gjykatës së Faktit Gjirokastër që kanë finalizuar aksionin për arrestimin.