TIRANË - Policia e Gjirokastrës ka arrestuar në flagrancë dy elektiçistë, punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), dhe pronarin e një biznesi për vjedhje të energjisë elektrike.

Burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës bëjnë të ditur se në pranga kanë rënë elektriçistët: Ilirjan Zenelaj, vjeç 55 dhe Shpëtim Grabovaj, vjeç 59, të dy banues në Gjirokastër. Gjithashtu po ndiqet në gjendje të lirë A.Z, vjeç 25, banues në Gjirokastër, me detyrë Inxhinier pranë OSHEE dega Gjirokastër.

Sipas policisë, elektiçistët kanë lidhur pa urdhër pune dhe pa kontratë një linjë elektrike që furnizonte me energji elektrike një dyqan në lagjen SMT, Gjirokastër.
Njëkohësisht po në Gjirokastër u arrestua në flagrancë shtetasi D.Kociu, vjeç 54, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e punonjësve të OSHEE, Njësia Gjirokastër, në bashkëpunim me punonjësit e policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër në biznesin privat kanë konstatuar se matësi i energjisë elektrike kishte ndërhyrje dhe ky biznes furnizohej me tre faza, matësi regjistronte dy faza. /ATSH/