GJIROKASTER - Marrëdhënie korrekte dhe tepër të mira. Kështu deklarojnë fqinjët e familjes Aliko në lagjen “Zinxhira”, kryefamiljarët e të cilës janë nën pranga me akuzën e vrasjes dhe dhunimit të nënës së tyre 92-vjeçare Bejaze Aliko. 

Ngjarja u bë publike një ditë më parë kur e bija e familjes Aliko, 70 vjeçare që jeton në kryeqytet, kallëzoi në polici të vëllanë Sharif Aliko dhe nusen e Donika përkatësisht 66 dhe 59 vjeç me akuzën e vrasjes së të ëmës 92-vjeçare. Ndërsa trupi i ndjerës e cila ndërroi jetë më 10 tetor, është zhvarrosur për t’u bërë ekspertiza. 

Ndërkohë mjekja e lagjes, u ndalua pasi kishte lëshuar vërtetimin mjekësor se vdekja ishte natyrale, pa bërë këqyrje të trupit të pajetë. 

Banorët e lagjes “Zinxhira” shprehen se raportet e pjesëtarëve të familjes Aliko kanë qenë mëse të mira, ndërsa pohojnë se ditën kur ka ndodhur ngjarja, nusja e familjes, Donika, ka qenë në shtëpinë e fqinjës përballë duke hedhur poshtë pretendimet e së bijës së 92-vjeçares për konflikte mes të vëllait, nuses dhe të ndjerës.

lagjia zinxhiras gjirokaster
(Ne foto: Lagjia "Zinxhiras" ku jetonte e moshuara me djalin dhe nusen)

Pas denoncimit është kryer zhvarrosja e 92-vjeçares dhe burime policore bëjnë të ditur se në trupin e të moshuarës janë konstatuar shenja që dëshmojnë për dhunë të ushtruar ndaj saj. Hetimi është përqendruar në faktin nëse e moshuara është vetëvarur pas dhunës së ushtruar ndaj saj apo është vrarë duke u varur nga djali dhe nusja e tij. 

66-vjeçari, Sharif Aliko dhe bashkëshortja e tij 59-vjeçare Donika Aliko janë ende në pranga, ndërsa mjekja e spitalit të Gjirokastrës është lënë dje e lirë nën masën e sigurisë “Detyrim me paraqitje”.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)