GJIROKASTER - Një aksident tragjik ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Gjirokastër -Dervican, në vendin e quajtur kthesa e Kordhocës.  Si pasojë e tij dy persona gjetën vdekjen dhe u plagosën pesë të tjerë. 

Aksidenti ndodhi në orën 03:30 të mëngjesit të sotëm,  kur automjeti tip Volsvagen, me targa AA 740 BP, që drejtohej nga shtetasi Glodian Vargu, 29 vjeç është përplasur me automjetin tip Benz taksi Gj 254 A, që drejtohej nga shtetasi Ritvan Ponde 35 vjeç nga Gjirokastra. 29 vjeçari, lindur dhe banues në Lezhë po udhëtonte në drejtimin të aksit Dervican - Gjirokastër ndërsa taksia po lëvizte nga Gjirokastra për Kakavijë.

Në automjetin tip Volsvagen udhëtonin dhe tre shtetas të tjerë, Edvin Hoxha 35 vjeç nga Lezha, gjyqtar kryesor i ndeshjes Luftëtari - Kruja që u zhvillua dje në Gjirokastër, Ridiger Çokaj 28 vjeç nga Lezha, gjyqtar anësor  i ndeshjes si dhe Rigers Pjetrushi 32 vjeç gjyqtar i katërt i ndeshjes Luftëtari –Kruja.

Ndërsa në automjetin tip Benz taksi udhëtonin shtetasi Xhemal Lamko 60 vjeç nga Gjirokastra, Adriatik Liti 61 vjeç nga Gjirokastra si dhe Ilirjan Xhemali 53 vjeç nga Gjirokastra.

Nga përplasja e dy automjeteve kanë humbur jetën pas rreth gjysmë ore në Spital dy nga pasagjerët e automjeteve, Rigers Pjetrushi 32 vjeç nga Lezha që ishte te Volsvagen dhe Ilirjan Xhemali pasagjer tek automjeti tip Benz.

Si pasojë e përplasjes automjeti tip Benz ka dalë nga rruga duke rënë në kanalin anësor të rrugës. Drejtuesi i automjetit tip Benz Taksi është lënduar lehtë, pa probleme për jetën .

Në vendngjarje është nisur menjëherë patrulla e Komisariatit të Trafikut Rrugor Gjirokastër, patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, si dhe grupi hetimor.

Nga kqyrja e vendngjarjes nga grupi hetimor ka rezultuar se shkaku paraprak i aksidentit me pasojë vdekjen mendohet të jetë humbja e kontrollit e drejtuesit të automjetit tip Volsvagen dhe për pasojë është përplasur me automjetin tip Benz. Policia po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

(b.m/shqiptarja.com)