GJIROKASTER- Prej tre muajsh, rruga që lidh Labovën e Madhe me pjesën tjetër të Gjirokastrës është dëmtuar rëndë, është bërë e pakalueshme për mjetet, duke izoluar banorët. Rrëshqitja e terrenit ka ka ndryshuar rrënjësisht jetën e përditshme në fshat.
“Ashtu siç thanë edhe gjeologët dhe inxhinierët që erdhën nga Tirana, ndërhyrja duhet te bëhet vetëm me pilota. Të vijë sonda të shpojë dhe te hidhen pilotat. Ata kane qenë para tre muajsh dhe e kane parë por tani nuk shoh njeri që të vijë për të ndërtuar rrugën, e t’i dalë këtyre fshatarëve në krah”, tha një banor.
Po kështu, dy banesa janë shpallur të pabanueshme, ndërsa familjet janë detyruar të largohen dhe të strehohen tek të afërmit, duke lënë pas shtëpitë ku kishin jetuar prej vitesh.
“Dy muaj qëndrova te kunati. Tani kam ikur në Gjirokastër. Të ikësh nga shtëpia që e ke ngritur 42 vjet me djersë… dhe ja, erdha tani të marr nja dy gjëra. Do iki prape. Unë dua të bëhet sa më shpejt, të më rregullojnë shtëpinë time”, tha nje banore.
Banorët tregojnë se prej janarit janë të izoluar, ndërsa edhe rruga alternative nuk është plotësisht funksionale. Të njëjtat vështirësi po përjetojnë edhe banorët e Labovës së Vogël.
“Rruga tjetër… ajo rrugë u bë vetëm sa për të nxjerrë makinat se I kishim të bllokuara. Ajo atje gjatë dimrit nuk funksionon, vetëm me xhipa mund të dalësh”, shton ai.
“E mbaj misrin në krah që ushqej bagetitë. Stanin e kam atje përtej dhe s’kaon makina. Po unë njëherë që merrem me blegtori dhe një stan tjetër atje, jemi plotesisht te bllokuar”, than je tjeter banore.
Situata bëhet edhe më alarmante në raste emergjencash. Ambulanca nuk arrin të kalojë, ndërsa të sëmurët transportohen në krahë, mes vështirësive dhe rrezikut për jetën.
“Kam mamin ne moshe të thyer. Po të më pësojë gjë mua, çfarë te bëjmë?!”
Bashkia e Gjirokastrës bën te ditur se ndërhyrja pritet të kryhet në kohën më të afërt, por fillimisht kërkohet një vlerësim i detajuar i terrenit nga Instituti i Gjeologjisë. Toka ka përbërje shtufore dhe është e ngarkuar me lagështi, çka e bën ndërhyrjen të vështirë në këtë periudhë.
Komente











