GJIROKASTER - Komunistët gjirokastritë kanë kërkuar referendum popullor për rikthimin e emrit të rrugës “Enver Hoxha” e ngelur pa emër prej më tepër se 21 vitesh në lagjen Palorto. Kërkesa e komunistëve është bërë publike sot gjatë një tubimi të mbajtur me rastin e 28-vjetorit të vdekjes së ish-udhëheqësit komunist shqiptar.

Krerët e Partisë Komuniste të degës Gjirokastër kanë vlerësuar sot para dhjetëra simpatizantëve të të gjitha moshave, figurën e ish-diktatorit shqiptar në mirëqënien e popullit përgjatë 40 viteve të sundimit të tij në krye të vendit.

Sipas kreut lokal komunist Bujar Sulejmani, “dinjiteti i Hoxhës është i pa-krahasueshëm me të gjithë politikanët të marrë së bashku ditën e sotme dhe për këtë gjë të gjithë duhet të jenë dakord që rruga me emrin e ish-udhëheqësit komunist është nder dhe lavdi për të gjithë”.

Njëkohësisht së bashku me këtë kërkesë komunistët i kanë apeluar qeverisë shqiptare, që muzeu etnografik i cili ndodhet në shtëpinë e lindjes së Enver Hoxhës, të rikthehet në destinacionin e mëparshëm pra në muze të luftës nacional-clirimtare.

Në fillim të viteve ’90 me kërkesën e intelektualëve shqiptarë kryesisht gjirokastritë me banim në kryeqytet, shtëpia e Enver Hoxhës u kthye në muze etnografik ku pasqyrohen objekte me vlera ta rralla arkitekturore vendase. Ajo c’ka ra në sy ditën e sotme ishte refuzimi i drejtuesve të këtij muzeu për të lejuar komunistët të hynin në brendësi të tij pasi i druheshin një greve urie, që ishte përfolur në orët e para të mëngjesit pikërisht për të plotësuar kërkesat e lartpërmendura.

Gjithsesi një fakt i tillë as nuk është pohuar dhe as nuk është mohuar nga krerët lokalë komunistë. Këta të fundit kanë premtuar se do të rikthehen sërish në këtë godinë por kësaj radhe për të protestuar, që banesa e lindjes e ish udhëheqësit të tyre historik të kthehet në destinacionin e mëparshëm si dhe rikthimin e emrit të rrugës, që lidh lagjen “Palorto” me Pazarin Karakteristik të qytetit.

(ad.ti/shqiptarja.com)