Gjithë heshtjet e Berishës përballë provokimeve të Bashës

Gjithë heshtjet e Berishës përballë provokimeve të Bashës

Heshtja e parë që dhimbte e Sali Berishës, ishte për propozimin e Lulzim Bashës për lista të hapura. Edhe pse Basha dhe ekipi e vet, e paraqitën atë si një lëvizje të fortë, që do kapte mat Edi Ramën, Sali Berisha heshti. Asnjë fjalë për të.

Me përvojën e politikanit që e di se çdo të thotë të shkosh pas kundërshtarit dhe të biesh në lojën e tij, ai që nuk lë rast pa folur dhe pa postuar diçka, dhe kur tallet dikush me ‘qytetarin digital’, për lëvizjen më të fortë politike të PD nuk foli. Bëri sikur nuk e kishte mendjen, ndërkohë që heshtja e tij fliste shumë.

Po të fliste, natyrisht do të godiste Lulzim Bashën. Nuk e bëri.

Kështu pati vepruar dhe më 2017 me listat e Bashës dhe marrëveshjen e tij me Edi Ramën. Kur e pa që Lulzim Basha  e bëri fakt të kryer listen, pas marrëveshjes me Edi Ramën, ai nuk foli kurrë për të. Vetëm pas humbjes në zgjedhje e goditi si një lëvizje të “këshilltarit mizerabël”, që në fakt është institucioni anonim që personifikon idiotësitë e Lulzim Bashës.

Heshtja e dytë ishte debati poshtërues Ruli-Mustafaj për mundësinë që ai të jetë prapë kandidat për deputet, apo jo.

Edhe pse duket si një tallje e orkestruar ndaj tij, në fakt është spontane. Ruli natyrisht ka thënë atë që mendon për Berishën dhe ka dashur ta provokojë si debat. Mustafaj po ashtu e ka marrë seriozisht propozimin e Rulit dhe ka thënë atë që mendon për Berishën. Jo se e do, por nuk do të bëhet bukëshkalë me të, siç është bërë ai me të. E ka parë si një rast për t’u treguar zemërgjerë.

Lulzim Basha, i cili duhet të ndërhynte në këtë debat, mbushi gjithë PD-në duke thënë se është lojë me leje të Doktorit, me shpresë që të mos mërziten, as ata që flasin, as ata që dëgjojnë.

Kjo padyshim është tallja poshtëruese më e madhe për Berishën, qyshkurse ai ka themeluar PD-në. Për herë të parë dy vetë, jo aq të dashur për të, debatojnë publikisht a i takon apo jo të rrijë më Berishës, në listën e PD-së.

Por edhe për këtë po hesht.

Po hesht, pasi po foli, natyrisht do të shkatërrojë Komisionin “Nishani”, që është i vetmi truk politik deri tani i Lulzim Bashës. Një fjalë  e Berishës kundër atij debati e bën Komisionin qesharak dhe ja zhvlerëson Bashës të vetmin truk që po përpiqet të bëjë para zgjedhjeve, për të amortizuar skandalin e vitit 2017.

Por Berisha nuk është se do të heshtë vërtet për këdo dy poshtërime, njëra që i është bërë PD-së, dhe tjetra vetë atij. Nëse Lulzim Basha humbet, siç ka shanse të ndodhë, dy gjyqet e para do t’i bëhen pikërisht për këto dy gjëra, që Berisha ka heshtur tani.

Dhe për këtë ai është i qartë. Por fakti që Berisha nuk guxon të bëjë betejë për këto dy gjëra tani që po ndodhin, tregon se ai i druhet një beteje me Bashën para zgjedhjeve. Dhe kjo frikë nuk është aq bardhë e zi. Nuk ka frikë vetëm se mund të rrënojë Bashën, në një konflikt që mund të marrë dhe PD-në me vete, e cila dhe kështu është boll keq.

Por ka dhe frikë të mos dalë i turpëruar nga ky konflikt, ende pa filluar zgjedhjet. Nuk do të testohet para lufte. Deri atëhere me siguri do gjejë ndonjë “këshilltar mizerbël” për ta fajësuar dhe për të bërë sërish, sikur nuk e ka me Bashën problemin.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet

Sulmi izraelit, Irani: Fluturimet kanë rifilluar në të gjithë aeroportet