Gjithë kuajt që tërheqin karrocën drejt pushtetit

Gjithë kuajt që tërheqin karrocën drejt pushtetit

Edi Rama dhe Lulzim Basha

Vetëm pak më shumë se 80 ditë më pas, në mbrëmjen e të dielës do të ketë një ide pak a shumë të qartë se çfarë qeverisjeje do të ketë Shqipëria për katër vjetët e ardhshëm.

Kush do të jetë kryeministri, cilët do të jenë fituesit, cilët humbësit dhe përgjithësisht, do të kuptohet se cili do të jetë në vija të përgjithshme fati i çdo shqiptari; ngjyra e qeverisjes ndikon për mirë apo për keq në fatin e çdo individi në Shqipëri, qoftë ky lojtar në fushë, qoftë bari në mal, qoftë i varfër që ëndërron pasurinë dhe qoftë i pasur që ka harruar kohën e varfërisë së frikshme të diktaturës nën begatitë e papritur të pluralizmit.

Nëse Edi Rama rikonfirmohet për herë të tretë, nuk do të ketë shumë histori sepse është një histori që edhe në të ardhmen, do të ndodhë njëlloj si në të shkuarën. Përballë tij, njëlloj siç ka bërë dhe ai vetë në të shkuarën, opozita do të thotë që zgjedhjet janë grabitur. Sepse çdo opozitë në Shqipëri ka pasur vetëm dy alternativa në zgjedhje: ose fitore, ose në të kundërt, përbetIm se zgjedhjet janë të deformuara.

Dhe vetë Basha do të dëshmojë aftësinë e pabesueshme për të fituar mbi veten, të cilën ai e mund vazhdimisht! Në rast të kundërt, humbja e Ramës do të bëhet shumë shpejt histori sepse për fituesin tradicionalisht është më e udhës festa për të nesërmen në pushtet sesa qortimi i pushtetit të djeshëm. Dhe edhe njëherë si përherë, do të verifikohet se sa më shumë ndryshon, aq më shumë vazhdon të jetë e njëjta gjë.

Deri në mbrëmjen e të dielës në 25 prill, ka ende një përjetësi për t’u konsumuar. Deri atëherë vetëm ndonjë e papritur e madhe mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve që parashihet të ndodhin sa kohë janë të njëjtit personazhe në garë.

Maxhoranca dhe opozita po rikualifikojnë pothuaj të njëjtit emra me të cilët kanë ushtruar qeverisjen dhe opozitarizmin. Ato do të ndeshen përgjithësisht me të njëjtin fjalor, Rama duke pretenduar se i ka dhënë vendit qeverisjen më të mirë të tre dekadave pluralizëm dhe Basha duke e konsideruar të njëjtën gjë si humnerën më të thellë të së njëjtës periudhë. Sherri do të vazhdojë pak për shifrat, pak më shumë për opinionet dhe shumë më shumë për njerëzit që do të flasin për shifra e opinione.

Opozita do të vuajë mungesën në pushtetin lokal, kurse qeverisja do të shfrytëzojë si avantazh çdo dhuratë paraelektorale që i ka dhënë kundërshtari në këto katër vjet, marrëzitë e të cilit kanë qenë aleati strategjik i Ramës në kohën kur koha punonte kundër tij.

Në Tiranë dhe Durrës, dy qarqet më të mëdha që do të kushtëzojnë rezultatin zgjedhor, maxhoranca vjen me një gardh të ngjedhur që nis me kryeministrin Rama, kryetarin e bashkisë Veliaj, ministrat Spiropali e Ahmetaj dhe me menaxherin e talentuar Çela në Durrës. Kurse opozita deri më tani ka konfirmuar vetëm Edi Palokën si drejtues qarku në Durrës dhe ka lënë ende në pikëpyetjeTiranën, duke i dhënë kundërshtarit një tjetër avantazh në kohë, njëlloj si në Vlorë me Leskajn, Elbasan me Bardhin, në Korçë, Fier e gjetkë, ku drejtuesit e saj politikë janë konfirmuar me vonesë. Dhe mbi të gjitha, janë pothuaj në tërësi ose figura të nivelit të tretë të trashëguara nga mandati i dytë i Doktorit, ose prurje të vetë Bashës.

Fushata është si tërheqja e një karrojë të rëndë: zakonisht ajo merr ritmin e kalit më të shpejtë. Ajo do të ndjekë vrapin e Ramës që duket ende i pa nginjur nga pushteti dhe të Bashës që duket sikur nuk e ka me ngut vrapin drejt pushtetit.

Fatkeqësisht, më pas në qeverisje, gjërat përmbysen dhe shoqëria shqiptare lëviz përpara me ritmin e kuajve më të ngadaltë të karrocës. Ata që janë një shumicë që të dëshpëron dhe që ndodhen në mënyrë kapilare e vertikale në çdo qelizë të shoqerisë shqiptare. Eshtë marrëzi e pastër që të ngulmosh për rezultat të ndryshëm duke përdorur të njëjtët njerëz, mjetë e mekanizma.

Në rast dështimi ky nuk është faji i njerëzve, mjeteve dhe mekanizmave të zgjedhur, por është mëkati i atyre që i kanë zgjedhur ato. Nesër, varësisht rezultatit, kjo aksiomë do të verifikohet edhe njëherë në Shqipëri si kudo gjetkë. Atëherë do të rishfaqen sërish trimat e epilogut të betejave, të urtët që do të flasin mbasi ka mbaruar kuvendi, do të rikthehen dashnorët mbasi janë konsumuar tradhëtitë dhe do të gëzojnë horrat e zakontë që nuk mungojnë kurrë. Ata e dinë se koha e tyre ende nuk ka mbaruar!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër