Është riparuar avaria e rëndë në linjën kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm në Vlorë, e cila shkaktoi ndërprerjen e furnizimit për qytetin. Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë ka njoftuar se ka përfunduar ndërhyrja në tubacionin me diametër 700 milimetra, në lagjen “10 Korriku”.

Defekti u konstatua në linjën që furnizon qytetin përmes depos kryesore të ujësjellësit, duke detyruar stakimin e stacioneve të furnizimit me ujë. Ndërhyrja rezultoi e vështirë për shkak të pozicionit të tubacionit, i cili kalon pranë një banese private.

Sipas njoftimit zyrtar, përmasat e avarisë dhe vështirësitë teknike bënë që puna të zgjaste më shumë nga sa ishte parashikuar. Ekipet punuan pandërprerë në terren për riparimin e plotë të linjës dhe rikthimin e shërbimit.

Pas përfundimit të riparimit, ka nisur furnizimi me ujë përmes linjës 24-orëshe, ndërsa normalizimi i plotë i furnizimit për pjesën tjetër të qytetit të Vlorës pritet gjatë mëngjesit të ditës së nesërme.

Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar gjatë kësaj situate.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:09
Ndotja në Gjirin e Vlorës, mbetjet pushtojnë vijën bregdetare nga Jonufra në Orikum (VIDEO)

 

Mbetje të shumta urbane kanë ndotur vijën bregdetare të Vlorës, nga Jonufra deri në Radhimë e Orikum.

Në pamjet e fundit shihen bidonë plastikë dhe mbetje të tjera të shpërndara përgjatë bregut dhe në sipërfaqen e ujit.   

Dyshohet se një pjesë e mbetjeve mund të jetë transportuar drejt detit nga prurjet e lumenjve dhe përrenjve, si pasojë e reshjeve intensive të shiut.