Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që lë në burg Robert Myftarin, i dënuar me 10 vite burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Myftari u arrestua në Rinas më 23 shtator 2025, pasi u shpall në kërkim nga SPAK, së bashku me të tjerë, për dosjen “Shpirti” i zhvilluar më korrik të 2021-it.
SPAK nisi hetimet ndaj Myftarit, pasi rezultoi si i përfshirë në grupin e trafikut të drogës, të cilët trafikuan sasi të mëdha kanabisi drejt vendeve të Bashkimit Europian
Njoftimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Dhimitër Lara (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më 22.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13/78 akti, datë 24.12.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit R.M., ndaj vendimit nr. 64, datë 17.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, disponuar si vijon:
“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit R.M. për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbetur në tentative, parashikuar nga neni 183/a1 e 22, 23, 27, 28/4 të Kodit Penal dhe në bazë të nenit 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit R.M. për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në caktimin e dënimeve për disa vepra penale, dënimin e të pandehurit R.M. me një dënim të vetëm, prej 10 (dhjetë) vjet burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurin R.M. fillon nga dita e arrestimit të tij për efekt të këtij procedimi.
- Në aplikim të nenit 15 të Ligjit nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i pandehuri R.M. ta vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë.
- Në mbështetje të nenit 36 pika 1, gërma “b” të Kodit Penal, 190/1 gërma “a” të K.Pr.Penale, mjeti lundrues, tip gomone, me emrin “****”, nr.regjistri ****, në emër të shtetasit R.M., i sekuestruar në nëntor 2015 nga policia shqiptare me ngarkesën rreth 800 kg lëndë narkotike e më pas është regjistruar në emër të shtetasit M.D., djali i të bashkëpandehurit I.D., të konfiskohet dhe të kalojë në favor të shtetit.
- Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit R.M.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 64, datë 17.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së
Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Shpenzimet procedurale të gjykimit në apel i ngarkohen apeluesit.
U shpall në Tiranë, më datë 22.01.2026
Komente












