TIRANË- Nipi ish-deputetit Arben Ndoka, Vilson Ndoka dhe kampioni i botës në mundje Elis Guri janë dënuar nga Gjykata e Posaçme si persona të përfshirë në trafikun e drogës.
Me ta janë dënuar edhe 6 bashkëpunëtorët e tyre të arrestuar në qershor 2018 si pjesë e operacionit "West univers“. 8 të pandehurit kanë marrë pafajësi për akuzën e grupit kriminal ndërsa u hetuan edhe si pjesë e dosjes 339/3.
9.4 vite burg do të shlyej nipi ish-deputetit, ndërsa sportisti Guri është dënuar me 4 vite e tetë muaj dënime finale këto pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe uljes me 1/3.
I kontaktuar nga Report Tv mbrojtësi i Gurit Avokat, Arbër Hoxha u shpreh se vendimi është i pambështetur në ligj dhe në prova, e ka paralajmëruar ankim në apel.
"Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar gjykimin e Dosjes 339/3, ku në përfundim të gjykimit ka deklaruar fajtore të pandehurit për kryerjen e veprës penale të "Prodhim dhe shitje të lëndeve narkotike në bashkëpunim", parashikuar nga Neni 283/2 i Kodit Penal.
Megjithatë Gjykata e Posaçme ka rrezuar akuzën për grup të strukturuar kriminal dhe vepra të kryer nga grupi i strukturar, akuza këto të parashikuara nga Neni 333/a dhe 334 te Kodit Penal.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar më herët të pandehurve do t'i ulet një e treta e dënimit.
Të pandehurit janë dënuar përkatësisht
1. Ramadan Dushaj me 9 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 6 vite burgim.
2. Rezart Cacani me 9 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 6 vite burgim.
3. Neritan Saraçi me 7 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,8 vite burgim.
4. Ardit Haxhagiqi me 8 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 5,4 vite burgim.
5. Vilson Noka me 14 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,4 vite burgim.
6. Fatbardh Gostini me 7,6 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 5 vite burgim.
7. Luan Boça me 7 vite burgim, uljen e 1/3 të dënimit dhe përfundimisht me 4,8 vite burgim", thuhet në njoftimin zyrtar.