Ministri Tahiri është shprehur se ata shoferë që nuk e kanë kuptuar ende që duhet të vendosin rripin e sigurimit meritojnë të gjobiten maksimalisht.

I pyetur nga gazetarët se përse janë vendosur gjoba kaq të ashpra krahasuar me jetesën në Shqipëri, Tahiri deklaroi se kjo është një ndër mënyrat e vetme për t’i bindur njerëzit që njerëzit të vendosin rripin e sigurimit.
 
“Për ata që nuk vënë rripin e sigurimit në rrugë gjoba do jetë maksimale. Policia Rrugore ka marrë porosi të vendosë gjoba maksimale dhe asnjë tolerim, asnjë lëshim. Ata që nuk e kanë kuptuar ende se duhet patjetër të vendosin rripin e sigurimit e meritojnë të gjobiten maksimalisht. Në qoftë se duan të shpëtojnë lekët dhe gjobën të lidhin rripin e sigurimit dhe nuk i vë njeri gjobë”, u shpreh Tahiri.
 
Ai është shprehur se sensizibilimi i qytetarëve për vendosjen e rripit të sigurimit, është prioriteti madhor i Policisë së Shetit edhe për vitin 2017.
 
Duke risjellë në kujtesë statistikat, ku vetëm nga përdorimi i rripit të sigurimit janë shpëtuar 29 jetë njerëzish, Tahiri u shpreh se për ta fituar betejën, qytetarët duhet të lidhin rripin e sigurimit fillimisht në mentalitet dhe pastaj në rrugë.
 
Ministri njofton se Policia Rrugore do vazhdojë me masa sensibilizuese dhe ndëshkuese, ku deri më tani janë gati 30 mijë qytetarë të ndëshkuar, pse nuk vendosin rripin e sigurimit.
 
“Policia Rrugore ka vijuar edhe masa sensibilizuese, por edhe me masa ndëshkuese për qytetarët. janë gati 30 mijë qytetarë të ndëshkuar, pse nuk vendosin rripin e sigurimit”, deklaroi ministri Tahiri


Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)