Një mesazh që njofton për një gjobë të papaguar të automjetit po përdoret si karrem për të mashtruar qytetarët në Shqipëri. SMS-ja, e dokumentuar këtë të hënë nga Shqiptarja.com dërgohet në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe përmban një link të dyshimtë, përmes të cilit marrësve u kërkohet të kontrollojnë një shkelje të pretenduar të qarkullimit rrugor.

Mesazhi vjen nga një numër i huaj me prefiksin +212 dhe është ndërtuar në mënyrë të tillë që të duket si një njoftim zyrtar. Në të pretendohet se një automjet i regjistruar në emrin e marrësit mund të ketë një çështje të pazgjidhur në lidhje me trafikun.

Për të marrë informacion mbi shkeljen, qytetarit i kërkohet të hyjë në një faqe interneti që përdor emrin e DPSHTRR-së dhe të vendosë numrin e targës së automjetit. Por adresa e përfshirë në SMS nuk është faqja zyrtare e institucionit. Përmes përdorimit të emrit të DPSHTRR-së, mesazhi përpiqet të krijojë përshtypjen se bëhet fjalë për një njoftim të vërtetë lidhur me gjobat e trafikut.

Një tjetër element që bie në sy është presioni për të vepruar brenda ditës. Në mesazh paralajmërohet se nëse gjoba e pretenduar nuk paguhet menjëherë, qytetari mund të përballet me penalitete të tjera. Madje, autorët japin edhe udhëzime se si duhet hapur lidhja. Marrësit i kërkohet të përgjigjet me fjalën “PO”, të mbyllë bisedën dhe ta hapë sërish për të aktivizuar linkun.

Në rast se kjo mënyrë nuk funksionon, i sugjerohet ta kopjojë adresën dhe ta hapë drejtpërdrejt në Safari.

Mashtrimet përmes SMS-ve nuk janë një fenomen i ri në Shqipëri. Vetëm pak muaj më parë Policia e Shtetit paralajmëroi qytetarët për përhapjen e mesazheve mashtruese përmes telefonit dhe aplikacioneve të komunikimit, përfshirë WhatsApp-in.

Sipas Policisë, bëhet fjalë për skema të njohura si “phishing”, që synojnë vjedhjen e të dhënave bankare, fjalëkalimeve, kodeve të verifikimit dhe informacioneve të kartave, të cilat mund të përdoren më pas për transaksione të paautorizuara.

“Mos klikoni në linke të dërguara përmes SMS-ve, WhatsApp-it apo aplikacioneve të tjera të komunikimit, veçanërisht kur mesazhi vjen nga numra të panjohur ose të dyshimtë”, ishte apeli i Policisë. 

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj mesazheve mashtruese teksa japin udhëzime se si duhet të mbrohen qytetarët nga këto mashtrime.

Si të mbroheni?

Mos klikoni lidhjen dhe mos iu përgjigjni mesazhit.

Mos jepni të dhëna personale, bankare apo kode verifikimi.

Verifikoni çdo njoftim përmes kanaleve zyrtare të institucionit, duke e hapur vetë faqen zyrtare.

Bllokoni dërguesin dhe raportojeni mesazhin si të padëshiruar.

Emri apo logoja e një institucioni nuk garantojnë vërtetësinë e mesazhit. Lidhjet e pazakonta, presioni për të vepruar menjëherë dhe kërcënimet me penalizime janë shenja paralajmëruese.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:57
Mesazhe mashtruese në emër të DPSHTRR, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike apel qytetarëve: Mos jepni të dhëna personale apo bankare

Qytetarët në Shqipëri po përballen me një tjetër formë mashtrimi online, përmes mesazheve SMS që pretendojnë se dërgohen nga institucione dhe shërbime të njohura, si Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).

Pas këtyre mesazheve Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj mesazheve mashtruese.

“Keni marrë një SMS për një shkelje të trafikut? Kujdes nga mesazhet mashtruese! Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj mesazheve mashtruese që përdorin emrin e DPSHTRR-së dhe pretendojnë se keni shkelje apo detyrime të papaguara. Mesazhe si ky në foto ju nxisin të klikoni në një lidhje mashtruese dhe të vendosni të dhënat tuaja, duke ju kërcënuar me penalizime nëse nuk veproni menjëherë.

AKSK, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, ka marrë masat e nevojshme për adresimin e këtij rasti dhe vijon monitorimin për të identifikuar tentativa të ngjashme mashtrimi dhe për të kufizuar rrezikun për qytetarët”, thuhet në njoftim.

Si të mbroheni?

Mos klikoni lidhjen dhe mos iu përgjigjni mesazhit.

Mos jepni të dhëna personale, bankare apo kode verifikimi.

Verifikoni çdo njoftim përmes kanaleve zyrtare të institucionit, duke e hapur vetë faqen zyrtare.

Bllokoni dërguesin dhe raportojeni mesazhin si të padëshiruar.

Emri apo logoja e një institucioni nuk garantojnë vërtetësinë e mesazhit. Lidhjet e pazakonta, presioni për të vepruar menjëherë dhe kërcënimet me penalizime janë shenja paralajmëruese.

Informohu. Mbrohu. Raporto.