Mbrojtja e biznesmenit Luan Muça jep një tjetër version të përplasjes me biznesmenin tjetër Vasil Bedinaj në Radhimë të Vlorës. Në një deklaratë të shpërndarë në disa media, e cila i atribuohet mbrojtjes së Luan Muçës, pretendohet se ai nuk i ka kërkuar 5 mln euro Vasil Bedinajt.
Sipas mbrojtjes, Muça kishte lënë një takim me Bedinajn për të sqaruar një mosmarrëveshje që lidhet me një investim në bregdetin e Jugut (që duket se i referohet konfliktit për pronësinë e një toke në Palasë ku do të ndërtohet resort, që është raportuar në disa media). Madje, mbrojtja pretendon se Muça është dhunuar me armë.
“Klienti im nuk vë gjoba, s’ka kërkuar asnjë para nga askush, por ka rënë pre e dhunës me armë teksa kishte lënë një takim sqarues me z. Bedinaj. Sqarimi lidhet me një investim në bregdetin e Jugut ku palët kanë pretendime për ligjshmërinë e dokumentacionit”, ka deklaruar mbrojtja e Muçës në media.
Ky është versioni i palës së Luan Muçës për ngjarjen, ndërsa më herët Bedinaj ka deklaruar në polici se ishte kërcënuar nga një grup personash të armatosur, duke pretenduar se i ishin kërkuar 5 milionë euro ose të largohej nga Shqipëria. Policia ende nuk ka dhënë një version zyrtar se cili është shkaku i konfliktit mes dy biznesmenëve të njohur.
Lajmi kryesor:
Vlorë/ Luan Muça i ‘Deltës’ me 15 roje sigurie të armatosur mësyn në ‘Regina Palm’ të Vasil Bedinajt! Policia: I vendosi gjobë 5 mln euro! Vihet në pranga bashkë me 4 të tjerë, digjet një ‘Audi A8’ (VIDEO)










