Biznesmeni Vasil Bedinaj është kërcënuar me armë zjarri mesditën e sotme rreth orës 11:30 në një nga hotelet e tij në zonën e Orikumit. Një grup mbi 10 personash të armatosur dyshohet se e kanë kërcënuar që t’i jepte 5 milionë euro ose ndryshe të largohej nga vendi brenda 24 orëve.

"5 milionë euro gjobë ndryshe zhduku nga Shqipëria", ka dëshmuar Vasil Bedinaj në polici.

Sipas informacioneve paraprake mes palëve ka pasur edhe një konflikt fizik, ndërsa autorët janë larguar nga ambientet e hotelit menjëherë pas ngjarjes.

Gjatë ndjekjes nga policia, makina tip 'Range Rover' ku ndodheshin tre prej autorëve të dyshuar është aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.

Dy prej tyre janë dërguar në spital ndërsa njëri është dërguar në Komisariat. Njëri ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa tjetri ka marrë lëndime më të lehta. Në makinën e autorëve policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri.

Ndërkohë Policia ka ngritur postoblloqe në Fier, Vlorë, Himarë e Tepelenë për kapjen e personave të tjerë.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.

Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.

Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Lajm në përditësim….

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë