Gjon Kolë Kujxhija, fëminija e rinia e një muzikanti pa varr

Gjon Kolë Kujxhija, fëminija e rinia e një muzikanti pa varr

Muzikantët Angjelin Kujxhija, Gjon Kujxhija, Rud Gurrashi e Ndoc Kujxhija

75 vjet ma parë, pikërisht me 20 prill të vitit 1943, studiuesi Gjon Kolë Kujxhija do të shkruante si në një testament, parathenien e botimit të librit të tij “VALLE KOMBETARE”, duke i vendosur titullin sinteze “MUZIKTARIT SHQIPTAR”. Fatkeqësisht ky studiues serioz e kompetent, u nda nga jeta tragjikisht në moshë te re, duke na lënë një punë studimore model, por pa realizuar tërësisht projektin e parashtruar prej tij. Shënimi Vol. I  që autori ka vendosur në kopertinë të librit që ka si objekt dasmen shkodrane, vulos angazhimin e tij për projektin e gjërë studimor që kishte vendosur të realizonte.


(Gjon Kujxhija)

Gjon Kujxhija u rrit dhe u formua në një mjedis familjar, ku arti e kultura ishte pjesë e rëndësishme e vlerave të jetës, ku arti dhe kultura zbulonte dhe zhvillonte ato ndjesi estetike pozitive, që e lartësojnë krijesen njerëzore. Po ashtu mjedisi shoqëror në të cilin kalonte orët e lira dhe zbavitej, nuk i linte gjë mangut atyre ku rriteshin e formoheshin bashkëmoshatarët e tij në vendet e tjera të qytetëruara. Shpirti i ndjenjës së atdhe dashurisë dhe i patriotizmit, mbushej plot ideale nga gjithçka që ushqente qënien e tij, në një qytet me strukturë urbane të pasur e qender e rëndësishme tregtare. Komunikimet e shkëmbimet nderkombëtare, i jepnin një dimension më të gjërë çdo mendësie, përfshirë këtu edhe ndjenjat patriotike.                                                

Gjon Kujxhija u rrit në një qytet me rrugët tipike e shtëpitë karakteristike, ku amvisat garonin me lulet shumëngjyrëshe e aromatike, qytet që kishte edhe një jetë të pasur kulturore e artistike. Në gjysmen e parë të shekullit të XIX në Shkoder viheshit në skenë me dhjetëra e dhjetëra shfaqje teatrore kombëtare dhe të autorëve të njohur botërorë. Këndoheshin e luheshin vepra muzikore  të kompozitorëve të shquar. Kishte kore e formacione muzikore që luanin e këndonin jo vetem muziken tradicionale, por edhe pjesë të zgjedhura nga repertori i pasur i kompozitotëve të shquar të muzikës botërore. Në lokalet elitare e salla koncertesh, luhej edhe muzika zbavitëse bashkëkohore. Në Shkoder kishte shtatë sallone teatrore me kapacitet mbi 300 vende, e në të gjitha shkollat përveç mësimit, punohej si në garë për art e kulturë.


(Muzikantët Angjelin Kujxhija, Gjon Kujxhija, Rud Gurrashi e Ndoc Kujxhija)

 Në aktivitetin e zhvilluar me rastin e 60 vjetorit të vdekjes të Gjon Kujxhisë në vitin 2003, muzikologu Tonin Zadeja kujton: Ne kohen kur vazhdonte studimet në Liceun „Ilyricum” të Etërve Françeskanë, terheq vëmendjen e kompozotorit, organizatorit, dhe drejtuesit të shquar Atë Martin Gjoka, nen udhëheqjen e të cilit thelloi njohuritë e tija muzikore. Shumë shpejt aktivizohet si instrumentist, si korist e më pas si aktor në shoqërinë „Antoniane“.             

Emrin e Gjon Kujxhisë e gjejmë të shënuar në listen e grupit të pjesmarrëseve në korin “SCHOLA CANTORUM” të Kishës Katedrale në Shkoder, në realizimin e melodramave me përmbajtje të thellë patriotike “ROZAFA”(1936), “RRETHIMI I SHKODRES”(1937)  dhe “RUBA E KUQE”(1937), të kompozuara e të vëna në skenë nga Kardinali Mikel Koliqi me libret të dom Ndre Zadejës, duke interpretuar përkrah shokëve të tij të talentuar, ndermjet të cilëve edhe Prenk Jakova. 

Në Shkoder kishte artistë shkrimtarë, muzikantë e piktorë, rilindas të vetëdijshem e të pasionuar, që kishin ndertuar një frymë konstruktive, inkurajuese perparimtare. Në formimin e Gjon Kujxhisë si studiues i folklorit, rol të veçantë luajti kontakti e bashkëbisedimi që pati me poetin dhe folkloristin e shquar Atë Benardin Palaj, i cili kishte njohuri të mira muzikore dhe kompozonte, e që në bashkëpunim me Atë Donat Kurtin në vitin 1937, botuan veprën e mirënjohur “VISARET E KOMBIT”.


(Gjon Kujxhija me të motrën Çeçilja në Firence)

Pas përfundimit me rezultate shumë të mira të Liceut “Illiricum”, vazhdon studimet në Konservatorin “Luigi Cherubini” të Firencës.

 “TRI DASMAT SHKODRANE”

Dasma e parë - në pikturë;

Në kujtimet e tij regjisori e shkrimtari Andrea Skanjeti, duke kujtuar momentet e krijimit të pikturës “Dasma shkodrane” shkruan nder të tjera: “Ishte viti 1923, muaji shtator,...Dajen Kolë (bëhet fjalë për piktorin Kolë Idromeno) e gjeta në dhomen e punës me penel në dorë. U ngriva në vend duke parë pikturen e madhe që ai po perfundonte....Zhvillimi i një dasme përshkruhej i gjallë dhe i plotë me ngjyra të qarta...Në atë kundrim i magjepsur sikur degjoja zërat e turmës, vallet e këngët që këndoheshin sipas zakonit...ajo botë e krijuar me ngjyra nga piktori, sikur zhvillohej  në skenë e gjallë me këngë e valle.” 

E pamundur të mos ketë patur ndikim inkurajues tek Gjon Kujxhija   kjo veper e lartë artistike e pavdekshme, shumë e njohur e piktorit të popullit Kolë Idromeno.

Dasma e dytë - në studim;

Përmbledhja e Gjon Kujxhisë “Dasëm shkodrane” në librin “VALLE KOMBETARE” , hyri në boten e studimeve shqiptare pikërisht në një kohë kritike të ekzistencës së kësaj trashëgimie, dhe i bani një sherbim të madh jo vetem qytetit të Shkodrës, por në tërësi kulturës sonë kombëtare. Fakti që megjithë punen studimore që u ba nga institucionet tona kerkimore shkencore në fushen e folklorit në vitet që pasuan, nuk kemi një studim në këtë lamë të trashëgimisë artistike shpirtërore, i jep një vlerë të pazevenësushme kësaj vepre. Për fat të keq ashtu siç kishte parashikuar vetë studjuesi Gjon Kujxhija, rituali trdicional i dasmës shkodrane, ka kohë që nuk praktikohet ma. Botimi “Dasëm shkodrane”, përmban tre materiale të rëndësishme me vlerë të veçantë studimore:                                                                                      

Materiali i parë: PARATHANJA;

Ashtu siç shprehet prof. Sokol Shupo në ribotimin që u kujdes të bënte në vitin 2006, parathenia shtjellon: “gjithçka që plotëson më së miri kriteret e një botimi etnomuzikologjik të përkryer.”  

Në të trajtohet objekti i lëndës së grumbulluar e të transkriptuar në vështrimin e përgjithshem të folklorit shqiptar; kriteri që autori ndoqi në procesin e grubullimit dhe të selektimit; evidenton dukuritë autentike e marrdhëniet e brëndëshme konstruktive të trevave përbërese të krahinës së Shkodres; studion ritmet dhe modet e llojeve dhe grupimeve të ndryshme; percakton përmbajtjen emocionale e estetike të tyre, në kontekstin e kulturës dhe psikologjisë qytetare;  e vendos në tërësi materialin muzikor  në marrdhënie me fqinjët tanë të hershem e të rinj dhe kulturen e tyre; vështron me kujdes kontekstin historik që ka kaluar vendi ynë duke specifikuar ndikimet; parashikon rrisqet që mund të vijnë nga muzikantët e papergjegjshem dhe media; orienton drejtë e porositë qytetarin e devotshem dhe muzikantët e ardhshem.


(Gjon Kujxhija me të motrën Çeçilja në Firence)

Materiali i dytë: “RITUALI I MARTESES” 

Ky ritual i mbledhur me kujdes, është shkruar i detajuar me të gjitha hollësitë e hallkat që kalon procesi, nga njohja(këngët e shtregullave) deri tek martesa(këngët e dasmës), duke i përshkruar siç shprehet vetë autori, me të gjithë kompleksitetin trajtues të vetin: “me personazhet pjesmarrës të këtij drami aq të rëndësishem e madhështor, me dekorin dhe ambientin origjinal e të natyrshem në të cilin është zhvilluar.” Meqenëse në tërë zhvillimin e vet rituali i dasmës këndohet nga burra e gra të moshave të ndryshme, tregohet edhe mënyra e komunikimit ndermjet tyre me lëvizjet e thjeshta simbolike koreografike, si një spektakel teatror muzikor. 

  Materiali i tretë: “KENGET E NOTIZUARA DHE TEKSTET”

Materiali i transkriptuar i këngëve valle, i notizuar me kujdes me tekstet e shkruara deri me variantet e praktikuara, ka qenë dhe qellimi kryesor i këtij botimi. Gjykimi i drejtë profesional i autorit dhe intuita, e ka ndihmuar ta grumbullojë e ta studiojë me kompetencë e profesionalizem trashëgiminë e muzikës qytetare shkodrane, e të veçojë materialin që na paraqet me titullin altar - “VALLE KOMBETARE”, nga “këngët e ahengut”.


(Gjon Kujxhija në Firence, personi që është me të nuk njihet nga familjarët)

Gjon Kujxhisë i takon merita, që duke hulumtuar me durim, duke u konsultuar me mbartës dhe njohës të pasionuar të muzikës në Shkoder, të marrë vendimin e ta paraqesë me pergjegjesi por njëkohësisht edhe me modesti materialin e çmuar. Them me modesti, sepse siç shprehet vetë në fjalët e fundit të parathenies, mirëpret vërejtjet. Por fati nuk e ndihmoj të merrte as sodisfaksionin e vlerësimeve që ju bënë,  as sugjerimet. Meqë është fjala për sugjerimet, duhet ditur se notizimi i bërë në variantin kur këndojnë zërat femëror, duhet kënduar një oktavë më poshtë. Një oktavë më poshtë këndohet edhe parti i tenorit, por për këtë zë ka një pakt kur shkruhet me çelësin e solit. Autori është kujdesur të vendosë shenime e të specifikojë edhe këngët e kënduara në shtregulla, të cilat janë një trashëgimi brilante si persa i perket përmbajtjes poetike e muzikore, ashtu edhe formës spektakulare të realizimit dhe funksionit që kanë luajtur.

Dasma e tretë - në spektakel;

Me 15 shtator të vitit 1947 amatorët e pasionuar të qytetit të Shkodres, vunë në skenë me shumë sukses melodramen folklorike “DASMA SHKODRANE”, me libret e regji të Andrea Skanjetit e muzikë të pergatitur e drejtuar nga Prenk Jakova. I gjithë veprimi bazohej mbi traditen:

Në aktin e parë të titulluar “Shtregullat” (që trajton njohjen), këndoheshin 10 valle të cilat i përshtateshin subjektit. Në aktin e dytë “Fejesa”, u kënduan 5 këngë të hengut shkodranë dhe 5 valle.  Në aktin e tretë “Dasma”, këndoheshin 15 valle e 12 këngë të hengut.  

Në kujtimet e tija regjisori Skanjeti, ka shkruar se në procesin e punës krijuese u konsultuam edhe me librin e Gjon Kujxhisë.                          

2018 – NJE BOTIM ME TITULLIN: GJON KOLE KUJXHIJA – “NJE ILIR I NDEZUN” –Valle Kmbëtare dhe hengu shkodran.                              

Në këtë botim që bëhet me interesimin e familjes Kujxhija dhe kujdesin e dirigjentin Eno Koqo, vepra vjen më e plotë sepse në të janë vendosur edhe këngët e hengut. Për faktin se këngët e hengut kanë një ndertim më të zhvilluar muzikorë, këndohen me shoqërim instrumental, si dhe paraqesin shtjellime melodike me mundësi më të mëdha vokalistike për këngëtarët, janë kënduar e kanë hyrë në repertorin koncertal, janë transkiptuar, mbledhur e  botuar, si dhe janë punuar nga shumë kompozitorë. Transkriptimi i këngëve të hengut që po paraqitet në këtë botim, pasuron me një tjeter dëshmi serioze punen kerkimore shkencore, në sherbim të qytetarit e institucioneve studimore e artistike të inerresuara për këtë trashëgimi me vlerë të kulturës sonë qytetare. Hengu, ka kohë që nuk këndohet sipas rregullave e grupimeve që është praktikuar. Dua të evidentoj se kjo kategori e këngës është pasuruar në vitet 50`, 60` e në vazhdim me krijime të reja, duke u quajtur e interpretuar tashme me emertimin „këngë qytetare shkodrane".

A mendonte drejtë Gjon Kujxhija, kur nder të tjera orientonte vëmendjen e kompozitorëve tek këngët valle? Kujtojmë porosinë e tij: “Çdo kompozitor shqiptarë, po desht me ndertue diçka vertete kombëtare, duhet t’a ngrehin ndertesen e vet mbi themelet e shpirtit të valleve.” Sa ka zënë vend në lëvrimin e mendimit krijues të kompozitorëve tanë kjo këshillë?

Po kujtoj disa krijime, në të cilat kompozitorët janë frymëzuar duke u bazuar mbi këngët valle. Kompozitori Çesk Zadeja zgjodhi për temë të parë në kohen e parë të simfonisë e tij këngën MORI  DRANDOFILLJA E BARDHE, duke e punuar e trajtuar me një gamë të gjërë përmbajtjesh e gjendjesh emocionale lirike e dramatike. Gjithashtu këtë temë madhështore e thellësisht me shpirt kombëtarë e perdori me sukses në muziken e filmit “SKENDERBEU”. Kompozitori Tonin Harapi do të ushqente thellësisht boten e tij artistike e mendimin krijues, me lirizmin dhe motivet poetike të këngëve valle, duke i cituar në shumë nga kompozimet e tija. Kompozitori Pjeter Gaci do të merrte frymëzim nga muzika e paster e valleve, e dukshem ky brum intonativ dëgjohet në kohen e dytë të koncertit për violinë.  Kur kompozova muziken e filmit “MURI I GJALLE” që bazohet në mitin e legjendës së kalasë Rozafa, temen e sakrificës së mburimit të Rozafës, e ndertova mbi shtjellimet melodike dhe modeve të këngëve valle, duke arritur të shpreh në sintezë njëkohësisht dhimbjen  dhe madhështinë e aktit.

Ashtu siç shprehet studiuesi Gjon Kujxhija duke hamendësuar marëdheniet e muzikës më të vjeter të qytetit të shkodrës me trevat për rreth, mund të konfirmoj se edhe në njohurinë time folklori muzikor i këngëve të Zadrimës, Dajçit të Bregut dhe Gurit të zi, ruan të njëjtat dukuri melo – ritmike e poetike, duke pohuar se shumë këngë të kënduara nga vajzat dhe gratë në këto treva, ngjajnë si variante  të këngëve valle të shkodres.  Ky botim ka një vlerë të madhe per opinionin publik,  për artistët e rinj e institucionet tona shkencore, për artin e kulturen tonë.

Në perfundim, përgëzoj familjen Kujxhija, në mënyrë të veçntë nipin e Gjonit, Nikolinin, maestron e studiuesin Eno Koço, dhe Akademinë e Shkencave me kujdesin e Prof. Dok. Vasil Tole,  për të gjithë kontributin që dhanë për realizimin e kësaj veprimtarie e perurimin e këtij botimi.                                                           

Shkoder, me  07.05.2018                                                                                                   

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen