Gjonaj dhe Xhafaj përballë Komisionit të Drejtësisë në Holandë: Hapja e negociatave, inkurajim dhe shpresë

Gjonaj dhe Xhafaj përballë Komisionit të Drejtësisë në Holandë: Hapja e negociatave, inkurajim dhe shpresë

Gjonaj dhe Xhafaj në seancën dëgjimore në Komisionin për Drejtësi dhe Siguri të Parlamentit të Holandës

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë vizitës në Holandë kanë zhvilluar një seancë dëgjimore në Komisionin për Drejtësi dhe Siguri të Parlamentit të Holandës. Dy ministrat shqiptarë janë përballur me pyetjet e parlamentarëve të Holandës për problemet me të cilat ndeshet vendi, ndërsa në krye të listës qëndron krimi dhe korrupsioni. Ministrja Gjonaj i njohu parlamentarët me rezultatet e para të prekshme të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, veçanërisht organet që do të merren me hetimin dhe gjykimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ministrja Gjonaj bëri me dije masat që qeveria shqiptare ka marrë për të forcuar luftën kundër korrupsionit, veçanërisht masat në nivel politikash dhe ndryshimet ligjore si dhe rezultatet e deritanishme në gjykimin e zyrtarëve të lartë publikë të akuzuar për korrupsion. Në vijim, Ministri i Brendshëm Xhafaj iu paraqiti të pranishmëve një panoramë të asaj çka Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit është duke bërë për adresimin e një sërë çështjesh të cilat janë shqetësuese për të dy vendet tona. Në këtë kontekst ai theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës siguron instrumentet përkatës institucionale dhe operacionale për adresimin e këtyre fenomene.

Më pas, në përgjigje edhe të interesimit të parlamentarëve Xhafaj prezantoi masat dhe arritjet në luftën kundër krimit të organizuar duke e cilësuar këtë si prioritetin kyç të qeverisë shqiptare. Duke i njohur të pranishmit me dokumentin e prioriteteve të Ministrisë së Brendshme, ai u ndal së pari tek lufta kundër kultivimit të kanabisit, grupeve kriminale që e kanë shfrytëzuar këtë aktivitet për përfitime të shpejta e të paligjshme, një fenomen i përhapur për vite të tëra në Shqipëri, duke cenuar në këtë mënyrë edhe imazhin e vendit.

Rezultatet e vitit 2017 tashmë të certifikuara nga partnerët ndërkombëtarë, shënojnë një kthesë domethënëse në luftën ndaj këtij fenomeni. Për herë të parë, pas 25 vjetësh, Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis.

Fatmir Xhafaj

Ministri u bëri me dije parlamentarëve se qëndrueshmëria e këtyre rezultateve është sfida kryesore për vitin 2018. Për këtë gjë, Policia e Shtetit po zbaton një plan agresiv veprimi për monitorimin e territorit në bashkëpunim edhe me Misionin e Guardia di Finanza-s. Më tej, ai u fokusua në operacionin “Forca e Ligjit” si një qasje ndërinstitucionale në luftën kundër krimit të organizuar. Për këtë qëllim, është ngritur dhe funksionon tashmë Task Forca Qendrore Speciale në përbërje të së cilës janë përfaqësues të të gjitha agjencive ligjzbatuese në vend.

Më tej, Ministri i informoi parlamentarët që deri tani janë identifikuar grupet kriminale, është bërë profilizimi i tyre, asetet dhe lidhjet e tyre. Ai nënvizoi gjithashtu asistencën dhe bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtarë, një pjesë e të cilëve kanë atashuar edhe përfaqësuesit e tyre në këtë task forcë. Ndër rezultatet kryesore të arritura deri tani, ai përmendi goditjen e 9 grupeve të rrezikshme kriminale si dhe vijimin e hetimeve për 5 grupe të tjera kriminale, operacione këto të kryera edhe me bashkëpunimin e Europol-it dhe vendeve të tjera të BE-së. Hetimet dhe zhvillimi i operacioneve të përbashkëta u konsideruan nga Ministri si jetike në luftën kundër krimit të organizuar, i cili vepron tej kufijve të një shteti.

Një çështje tjetër në të cilën u ndal Ministri Xhafaj ishte edhe vetingu në policinë e shtetit dhe lufta kundër terrorizmit.  Në pjesën e dytë të takimit, të dy Ministrat iu përgjigjen pyetjeve të parlamentarëve. Këta të fundit, ndër të tjera, shprehen interesin e tyre për të ditur më shumë mbi mënyrën se si do të realizohet procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, afatet kohore, shpërblimin financiar i gjyqtarëve dhe prokurorëve, impaktin që ky proces ka pasur në Gjykatën Kushtetuese.

Ministrja Gjonaj, në përgjigje të çështjeve të ngritura nga parlamentarët, u bëri me dije rezultatet e deritanishme të vetingut, si dhe besimin e saj që procesi i vetingut për 57 gjyqtarë dhe prokurorë të listës prioritare do të përfundojë shumë shpejt duke sjellë ngritjen e institucioneve të reja me kandidatë të pastër dhe të vetuar, procese këto që ndikojnë në rikthimin e besimit të qytetarëve tek sistemi i drejtësisë.

Megjithatë, Ministrja u bëri me dije që ky proces nuk ka qenë pa vonesa për shkak të pengesave që janë krijuar në ngritjen e organeve të vetingut dhe fillimit të këtij procesi, përtej afateve të parashikuara në ligj. Gjithashtu, Ministrja u bëri me dije që përfundimi shumë shpejt i procesit të vetingut për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si dhe vlerësimi i kandidaturave për vakancat e krijuara në Gjykatën Kushtetuese do të zgjidhë çdo çështje që lidhet me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Më tej, Ministrat u bënë me dije deputetëve që duke filluar nga 1 janari i vitit 2019, hyjnë në fuqi pagat e reja të gjyqtarëve dhe prokurorëve që garantojnë një shpërblim financiar të denjë për funksionin që ata ushtrojnë.

Qëndrueshmëria e reformave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare në raport me procesin e integrimit në BE ishte një tjetër pyetje e parlamentarëve. Në përgjigje të saj, Ministri Xhafaj i siguroi parlamentarët se procesi i reformave që ka ndërmarrë Shqipëria është i pakthyeshëm dhe jetik për vendin.

Çelja e negociatave për anëtarësim është padyshim inkurajim i forcave progresiste në Shqipëri për thellimin e këtyre reformave si dhe i jep shpresë të rinjve për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Fatmir Xhafaj

Ministri Xhafaj shprehu besimin e tij që ecuria e reformave, veçanërisht e asaj në drejtësi, nuk mund të ndikohet nga zhvillimet politike, duke shtuar se BE-ja është investuar fuqishëm në zhvillimin e tyre.

Procesi i negocimit me BE-në do të sigurojë në të njëjtën kohë një mekanizëm efikas kontrolli dhe monitorimi të procesit të reformave në Shqipëri

Fatmir Xhafaj

Kriminaliteti shqiptar në Holandë ishte një tjetër çështje e ngritur nga parlamentarët në këtë takim. Në përgjigje të saj, Ministri Xhafaj u shpreh se ne e njohim këtë shqetësim dhe kemi gjithë vullnetin e duhur për ta adresuar atë. Për vetë natyrën e këtij kriminaliteti, bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona, është më se i domosdoshëm.  Ministri u bëri atyre me dije se sipas statistikave zyrtare holandeze, në burgjet holandeze ndodhen vetëm 64 shtetas shqiptar, pjesa dërrmuese e të cilëve ndodhen në paraburgim. Pra, është më se e domosdoshme që të dy palët të zhvillojnë analiza dhe hetime të përbashkëta bazuar në të dhëna konkrete dhe jo në perceptime.

Ne jemi të gatshëm, u shpreh Ministri Xhafaj, të dërgojmë në Holandë grupe oficerësh policie, të cilët në bashkëpunim me kolegët e tyre holandezë të zhvillojnë analiza për situata konkrete që lidhen me kriminalitetin dhe emigracionin e paligjshëm.

Fatmir Xhafaj

Në vijim, ai u bëri me dije parlamentarëve, se shumë shpejt, Shqipëria do të vendosë një oficer kontakti në Holandë, të dedikuar për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin me autoritetet policore holandeze. Gjermania, Franca dhe Holanda janë tre vendet skeptike për hapjen e negociatave, ndërsa Shqipëria vijon lobimin për t'i bindur deri në fund të qershorit kur do të merret vendimi.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ben Andoni: PD-ja përballë protestave, por pa publikun?!

Ben Andoni: PD-ja përballë protestave, por pa publikun?!