Gjosha: Bojkoti i opozitës pengon
procesin e integrimit të vendit në BE

Gjosha: Bojkoti i opozitës pengon<br />procesin e integrimit të vendit në BE
TIRANË - Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka theksuar se, bojkoti i opozitës në Kuvend është një pengesë jo e vogël për procesin e integrimit. Sipas saj, procesi është i parealizueshëm nëse mungon gjithpërfshirja.

Ministrja e Integrimit Evropian gjithashtu ka folur mbi progres-raportin dhe mbi prioritetet kyçe që Shqipëria duhet të plotësojë në mënyrë që t'i çelë rrugë hapjes së negociatave me BE-në. Sipas Ministres Gjosha, në 5 prioritetet që i janë lënë Shqipërisë, transformimi i thellë i institucioneve të drejtësisë, është ndër më të vështirët për t'u realizuar dhe që kërkon kohën e vet.

Gjosha ka komentuar vizitën e Kryeministrit Rama në Serbi, duke e cilësur si një vizitë që reflektoi vizionin e së ardhmes, atë të bashkëpunimit e mirëkuptimit, jo vetëm mes dy vendeve, por gjithë rajonit.

Më poshtë intervista e plotë dhënë për ATSH-në e Ministres së Integrimit Evropian, Klajda Gjosha:

Zonja Gjosha, pas vizitës së Kryeministrit Rama në Serbi a janë tashmë vendet më afër objektivit të tyre për avancimin drejt integrimit evropian, nisur edhe nga kërkesat e kancelares Merkel gjatë konferencës së Berlinit për konsolidimin e marrëdhënieve mes vendeve në Rajon?

Vizita e Kryeministrit Rama në Serbi, reflektoi vizionin e të ardhmes, pikërisht atë të bashkëpunimit e mirëkuptimit, jo vetëm mes dy vendeve, por gjithë rajonit. Kjo është domosdoshmëri për të vijuar rrugën tonë të integrimit. Evropa e Bashkuar, pjesë e së cilës duam të bëhemi, funksionon para së gjithash mbi një sistem vlerash, që heq barrierat mes popujve, që nxit prosperitetin dhe mirëqenien e përbashkët. Nëse duam të jemi më pranë Evropës, ne duhet t'i përqafojmë këto vlera, t'i kultivojmë tek popujt tanë, që t'i dëshmojmë vetes së pari që meritojmë të jemi pjesë e kësaj familjeje të madhe. Shqipëria, Serbia, i gjithë rajoni, nuk duhet të bashkëpunojnë se ua kërkon Brukseli apo Kancelarja Merkel, por sepse kjo është e vetmja rrugë që këto vende të arrijnë në destinacionin e tyre final. E ardhmja e Ballkanit është vetëm dhe vetëm në BE, ndaj për t'iu rikthyer pyetjes tuaj, mendoj se vizita e Kryeministrit Rama ishte një shtysë më tej, për të kuptuar që sytë tanë duhet të jenë nga e ardhmja.

A ka zhvillime të reja për projektet që u prezantuan në Konferencën e Berlinit?
Projektet e prezantuara në Konferencën e Berlinit janë projekte rajonale, të cilat janë në rrugën e konkretizimit. Mbështetja e Bashkimit Evropian tregon qartë se rajoni duhet të ketë bashkëpunim ekonomik dhe investime të përbashkëta, të cilat i shërbejnë zhvillimit të gjithë këtyre vendeve dhe të ardhmes së tyre në BE.

Cilat pika të progres raportit e shqetësojnë më shumë qeverinë?
Janë pikërisht ato pika ku vendoset theksi nga Komisioni Evropian, aty Shqipëria duhet të bëjë përpjekjet më të mëdha. Janë konsolidimi i shtetit ligjor, reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nuk bëhet fjalë aq për shqetësim sa për vetëdijen se kërkohet një angazhim shumë i madh për të përmbushur reformat e kërkuara. Dua të theksoj se nga ana tjetër nuk mjafton vetëm vullneti dhe përpjekja e qeverisë për të arritur rezultate. Duhet të jenë bashkë të gjithë aktorët, e gjithë shoqëria shqiptare.

Cilat janë pikat më të realizueshme dhe cilat do të kërkojnë më tepër kohë?
Në 5 prioritetet që i janë lënë Shqipërisë, transformimi i thellë i institucioneve të drejtësisë, është ndër më të vështirët për t'u realizuar dhe që kërkon kohën e vet. Reforma në drejtësi është thelbësore dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, të cilëve duhet t'u rikthehet besimi te keto institucione. Janë bërë një sërë hapash përpara në këtë drejtim, asistenca e partnerëve tanë ndërkombëtare me ekspertizë është gjithnjë e më në rritje, por siç e theksova duhet ende shumë punë. Pavarësisht kësaj, për vetë specifikën që kanë gjithsecili nga 5 prioritetet, duhet gjithpërfshirja e aktorëve në mënyrë që për secilin ne të plotësojmë ato detyrime që na janë kërkuar.

Si po vijon puna për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe që KE i ka caktuar Shqipërisë?
Plani i masave që ka një shtrirje deri në vitin 2015, po zbatohet nga të gjitha institucionet, të cilat janë ngarkuar me afate të qarta për të përmbushur detyrat e caktuara. Ky dokument është një udhërrëfyes mjaft i mirë dhe kemi parë një vullnet pozitiv e angazhim sa i përket afateve. Puna që po bëhet është nën monitorimin e grupeve të përbashkëta të punës me Komisionin Evropian, të cilat janë ngritur në muajin shtator.

Grupet e punës që janë ngritur për të monitoruar ecurinë e reformave, sa të efektshëm janë realisht?
Këto grupe kanë vetëm pak muaj që janë ngritur dhe sigurisht që janë të efektshëm, pasi nuk është një praktikë që është zbatuar vetëm te ne, por edhe në vende të tjera të cilat tashmë janë pjesë e BE. Mund t'iu them se raportimet e vazhdueshme nga këto grupe pune janë një ndihmë e madhe për të parë mbarëvajtjen e të gjitha masave që po merren, ku duhet të intensifikohet puna në vijim apo detyrat e përmbushura. Me anë të këtyre grupeve monitorimi është objektiv, raportimi për ecurinë është objektiv dhe nxit intensifikimin e punës nga institucionet shqiptare.
Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha Foto Florian Abazaj

Bojkoti i opozitës në Kuvend a e pengon apo ngadalëson procesin e integrimit në BE?
Bojkoti është një pengesë jo e vogël për procesin e integrimit. Procesi është i parealizueshëm nëse mungon gjithpërfshirja. Kemi të bëjmë me një axhendë kombëtare, e cila është e vendosur mbi çdo axhendë tjetër partiake. Nëse ne nuk kemi dialog brenda vendit, si mund të pretendohet që të jemi pjesë e një familje më të madhe siç është BE-ja që funksionon mbi dialogun, bashkëpunimin dhe prosperitetin. Çfarë kontributi mund të japim brenda BE-së, nëse nuk mundemi të vendosim interesin e vendit tonë, përpara mosmarrëveshjeve poltike? Opozita është pjesë e procesit të integrimit, cilado qoftë qeveria. Ka një rol, detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, dhe duhet ta luajë këtë rol. Bojkoti nuk është zgjidhje, nuk çon askund, përkundrazi kthen pas. Bojkoti nuk e ndihmon zhvillimin e vendit, aspiratën tonë evropiane. Të gjitha sa sipër përmenda nuk i thotë vetëm qeveria, i thonë partnerët tanë evropianë, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe kanë kërkuar vëmendjen e opozitës duke bërë thirrje për t'u rikthyer në parlament, atje ku debati mund të ketë vërtet rezultate që u shërbejnë qytetarëve. Opozitarizmi nuk bëhet në rrugë, por ka peshë dhe u shërben qytetarëve brenda institucioneve. Nëse duam të konsolidojmë demokracinë brenda vendit, të jemi më europianë, mendoj se ka ardhur koha që gjithë klasa politike ta kuptojë këtë.

Cili është parashikimi juaj për një datë të mundshëm për hapjen e negociatave me BE?
Nuk mundet askush prej nesh të bëjë parashikime. Kemi të bëjmë me një proces dhe jo me data të veçanta. Ne shpresojmë që sa më shpejt të hedhim këtë hap tjetër të rëndësishëm. Hapja e negociatave është për ne një sfidë e madhe dhe e vështirë. 

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën