Grupet e monitorimit në terren të këtyre organizatave dhe rrjetet e bashkëpunëtorëve të tyre në rajone të ndryshme të Shqipërisë, kanë konstatuar dhe dokumentuar një intensifikim të lartë të rasteve të gjuetisë së paligjshme, veçanërisht në periudhën nëntor 2015 – janar 2016.
"Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyor në Shqipëri (PPNEA) dhe Shoqata për Ruajtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë (ASPBM), nëpërmjet këtij njoftimi për shtyp ngrenë shqetësimin lidhur me shkeljet e vazhdueshme të moratoriumit të gjuetisë të vëzhguara në muajt e fundit. Grupet e monitorimit në terren të këtyre organizatave dhe rrjetet e bashkëpunëtorëve të tyre në rajone të ndryshme të Shqipërisë, kanë konstatuar dhe dokumentuar një intensifikim të lartë të rasteve të gjuetisë së paligjshme, veçanërishtnë periudhën nëntor 2015 – janar 2016.
Moratouriumi dy vjeçar i gjuetisë hyri në fuqi në mars të vitit 2014, si masë imediate për mbrojtjen e popullatave të fundit të faunës së egër në Shqipëri, gjëmtuar në vite si pasojë e një gjuetie të shfrenuar, dhe nisur nga dispozitat ligjore në fuqi, afati i këtij moratoriumi përfundon në 15 mars të këtij viti. Organizatat vlerësojnë ndikimin tërësor pozitiv që moratoriumi ka patur në uljen e gjuetisë në Shqipëri në këto dy vjet, por shprehin shqetësimin se në muajt e fundit, zbatimi i tij ka rënë ndjeshëm dhe situata e vëzhguar në terren cënon seriozisht suksesin dhe përmbushjen e objektivave të moratoriumit.
Pavarësisht qënies në fuqi tëmoratoriumit, gjuetia e paligjshme vazhdon të ndodhë dhe është intensifikuar së tepërmi, kryesisht nëpërmjet vrasjes së kafshëve të egra me armë zjarri, por edhe nëpërmjet kurtheve të ndryshme. Nga vrojtimet në terren, rezulton se gjuetia e paligjshme praktikohet kryesisht përgjatë fundjavës (veçanërisht të dielën), dhe orëve të para të mëngjesit, por edhe gjatë natës. Kohë në të cilën organet ligjzbatuese, duket se kanë një vigjilencë më të shkujdesur mbi kontrollin e territorit, të cilën e përdorin më së miri abuzuesit.
Gjuetia e paligjshme është konstatuar në të gjithë territorin e vëndit, dhe pothuajse në të gjitha zonat e mbrojtura ligatinore, por edhe në zonat e mbrojtura malore, të cilat kanë qënë në fokus të monitorimit, duke mos kursyer as llojet e rrallë, pjesë e listës së kuqe të faunës së Shqipërisë, si huta, kaprolli, ujku, derri i egër etj. Vetëm përgjatë 2 muajve të fundit janë konstatuar dhe dokumentuar 1507 raste të gjuetisë së paligjshme, dhe pritet që këto raste të shtohen, veçanërisht përgjatë kësaj fundjave ku është parashikuar një rënie e ndjeshme e temperaturave, ç’ka shkakton grumbullimin e grupeve të mëdha të shpendëve dimërues në zonat ligatinore.
Ndër zonat më problematike, rezultojnë ato ligatinore-bregdetare si Laguna e Patokut në rrethin e Lezhës, Ligatina e Fllakës në afërsi të Durrësit, Laguna e Vilunit në rrethin e Shkodrës, kompleksi ligatinor Vjosë – Nartë në rrethin e Vlorës etj, ku numri i fushëzave të gjahtarëve në disa prej zonave të përmendura është dyfishuar vetëm përgajtë dy javëve të fundit. Gjithashtu e njejta situatë problematike paraqitet edhe në zona të tjera, në mënyrë të veçantë nërajonin Pukë-Mirditë, në rajonin e Korçës, rajonin e Tropojes etj.
Nga sa më sipër PPNEA dhe ASPBM u bën thirrje të gjithë insititucioneve ligjzbatuese në vend, veçanërisht Ministrisë së Mjedisit dhe asaj te Rendit, të marrin masa të menjëhershme për vënien nën kontroll të gjuetisë së paligjshme, duke mbrojtur kështu popullatat tashmë të tejet të rrezikuara të faunës së egër në Shqipëri."
Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)