Gjuha e dhunuar, nga shkresat
zyrtare te tekstet shkollore

Gjuha e dhunuar, nga shkresat<br />zyrtare te tekstet shkollore
TIRANË - Një shtet i vërtetë, i konsoliduar e i kulturuar dhe me përgjegjësi të rrënjosura për fatet e kombit të vet në të gjitha fushat e jetës ekonomike, kulturore, politike, juridike, ushtarake etj., nuk mund të lërë në heshtje problemet  e asaj që është mjeti kryesor i komunikimit e i dijeve, përcaktuesi i identitetit kombëtar: i gjuhës. Dhe gjuha shqipe për ne shqiptarët është diçka më tepër se mjeti i komunikimit të gjithëmbarshëm. Ёshtë simboli i ekzistencës sonë si komb në furinë e luftërave për mbijetesë.

Ёshtë vërejtur e theksuar shpesh kohët e fundit, nga personalitete të gjuhës e të letërsisë shqipe, nga intelektualë të shquar, nga publicistë e gazetarë, përdorimi i gjuhës shqipe me gabime në të shkruar e të folur.
Natyrshëm del pyetja: Cili institucion duhet të kontrollojë e të verifikojë saktësinë dhe gabimet gjuhësore të teksteve zyrtare që nga aktet ligjore, gjyqësore e deri te shkresat e organeve shtetërore?

Veç nevojës për kulturën e duhur gjuhësore, saktësia e përpikëria gramatikore është e domosdoshme për formulimin e përmbajtjes së teksteve të çfarëdo natyre e rëndësie. Fatkeqësisht askush nuk shqetësohet për këtë fakt të dhimbshëm që nuk mund të quhet thjesht gjuhësor.
Kush kërkon llogari për këto gabime, kur vetë disa drejtues të institucioneve nuk kanë njohuritë fillestare dhe elementare për rregullat e drejtshkrimit, të morfologjisë e sintaksës?
Pse arrijmë deri aty sa të pranojmë, të lexojmë e të nënshkruajmë shkresa e dokumente që në vend të “ë”-së kanë “e” dhe në vend të “ç”-së kanë ”c”, vetëm se nëpunësit përtojnë t’i vendosin në PC?

A kanë kohën e duhur nëpunësit përkatës, të të gjitha niveleve, për të mësuar e për të kontrolluar tekstet edhe për gabime gjuhësore?  Natyrisht kanë, po të shkurtojnë orët duke luajtur letra në PC, në kafe e në një bisedë për gjellën e drekës ose për parashikimin e ndeshjes së të dielës.

A ka redaktorë gjuhësorë (jo thjesht korrektorë) në Kuvend, në Kryeministri, në ministritë, në gjykatat e shkallëve të ndryshme, në institucionet qendrore?
Kush i redakton e korrekton tekstet shkollore nga Abetarja e deri te tekstet universitare që botohen nga vetë autorët ose shtëpitë botuese private dhe, në qoftë se ka redaktor, kush i kontrollon këta për gabimet ose lajthitjet që mund t’u kalojnë? Pronarët?!

Disa  shtëpi botuese serioze i kanë këto hallka të domosdoshme. Po a kontrollohen nga Ministria e Arsimit e Shkencës dhe a kthehen mbrapsht ato tekste që nuk janë në përputhje me normën e rregullat standarde? Me siguri, zëdhënësit e kësaj Ministrie do të përgjigjen: Po, kemi bordin ose komisionin përkatës.
Atëherë, pse librat mësimor kanë gabime sa naive, aq dhe flagrante? A mund t’i kërkohet ndihmë e bashkëpunim Institutit të Gjuhës e Letërsisë, për t’iu përgjigjur konkretisht, qoftë dhe pjesërisht, këtyre pyetjeve që, duam nuk duam, nuk mund t’u bishtnojmë dot?

Shkrimi u publikua sot (28.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024