Gjuha shqipe, një e drejtë që në letër u garantohet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut u bë mollë sherri në seancën e 13-të të Komisionit për Mundësi të Barabarta në Shkup.

Deputetja e Aleancës për Shqiptarët në opozitë, Ilire Dauti reagoi për shkak të mosrespektimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe kritikoi faktin që materialet e seancës nuk janë në gjuhën shqipe, çka e bën atë të ndihet e diskriminuar dhe jo në kushte të barabarta.  

“…e nderuar nënkryetare e komisionit, po të lutem në mënyrën shumë korrekte këtu ka rregullore si funksionon, këtu nuk mund ta bësh tënden si të vije qejfi sepse në këtë rast e drejta qëndron te unë. Duhet të mi siguroni fillimisht materialet në gjuhën shqipe e pastaj të vazhdosh me seancë. Në të kundërtën, ja le ta shohin mediumet e qytetarët edhe këto zonja të nderuara këtu si mund të flitet për barazi kur në mënyrë të hapur po bëhet dhunë psikologjike dhe nënçmim ndaj deputetëve shqiptarë. Kjo seancë ka filluar pa zbatimin e Kushtetutës dhe pa zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërkaq këtu diskutohet për strategji, e cila në qendër të vëmendjes dhe fjalët kyçe i ka diskriminimin, dhunën psikologjike, nënçmimin e kështu me radhë…”, tha Dauti duke bllokuar seancën

Ndërkohë që Dauti fliste, nënkryetarja e komisionit Vesna Gjorgjieva merrte direktiva përmes celularit!

Vazhdojmë me seancën… Nuk keni të drejtë të fjalës nuk ju dhashë të drejtë të flisni! Ju lutem, nuk ju dhashë të drejtën e fjalës!”, tha Vesna Gjorgjieva duke akuzuar Dautin se po përpiqet të fitojë pikë politike

Nuk dua t’i manipuloni këta njerëz që kanë ardhur këtu në këtë diskutim publik për të arritur në përfundime, që do na ndihmonin shumë të gjithë neve dhe jo të fitojmë vetëm pikë politike…”, tha  Gjorgjieva

Por, deputetja Dauti nuk lëvizi nga foltorja. Duke kritikuar faktin se edhe Ministri shqiptar për politikë sociale Fatmir Limani e ka firmosur këtë dokument vetëm në gjuhën maqedonase, ajo fajësoi gjithashtu kryetarin e Kuvendit Afrim Gashin për neglizhencë në zbatimin e gjuhës shqipe në këtë komision. Më pas, nënkryetarja Gjorgjieva ndërpreu seancën për të printuar materialin në gjuhën shqipe për tua dorëzuar deputetëve shqiptarë.

Debati mbi përdorimin e gjuhës shqipe është ndezur në Maqedoninë e Veriut pas protestës së studentëve shqiptarë të Jurisprudencës të cilët kërkojnë që të mbajnë provimet e lirimit në gjuhën shqipe. Pak ditë më parë, mijëra prej tyre dolën në një protestë madhështore ku insistuan që përdorimi i gjuhës është një e drejtë që u takon. Shumë syresh fajësuan edhe rolin e partive shqiptare për dobësimin e gjuhës amëtare.

Kryeministri Hristijan Mickoski nga ana tjetër është zotuar se autoritetet po punojnë për zgjidhje por ajo duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.