Hë mor Nisha, mirë gjumi ? Vazhdoni, vazhdoni. Na falni se ju prishëm gjumin. Keni të drejtë, gjumi është i shëndetshëm, është i rehatshëm, është i ëmbël. Ohoho.... Ka lezet ! Pse me u shqetësu për veten, për fëmijët, për shoqërinë, për mjedisin e këto përrallat e tjera, larg qoftë pse me dal në protesta ? Po ku keni kohë mor aman ? Kishte të drejtë ai burgosuri i ri te ajo barcaleta. E sugjeruan me u njoh me një gocë. Dhe ai dha përgjigjen legjendare. "Jo faleminderit, kom punë." Pastaj shkoi në qeli edhe ia futi gjumit.

liqeni artificial

Edhe siç po thoja po pse me e prish gjumin ? Mor amani, pse ? A ia vlen ? Ata atje lart punojnë për ne. Atyre ua kemi lënë të rrinë pa gjumë. Ata duhet të sakrifikojnë. Të vuajnë, të treten. Marrçin nga ditët tona ishallaaaaaaaah ! Janë të ndame këto punë. Ata punojnë, ne flemë gjumë. Të shkretët, mirë që lodhen e sakrifikojmë po iu duhet me dal edhe nëpër emisione me fol me gazetarë llapazanë, edhe me dhonë xhevap mjes, drekë, darkë. Ja për shembull një nga zyrtarët e bashkisë së kryeqytetit para ca kohësh mbasi e bezdisi gazetarja me pyetje gjasme ambientaliste, kur tak e nxori perlën nga goja shpuzë djali i nënës.

"Po s’ka problem për gjelbërim në Tiranë. Kot e kemi Dajtin !"

Ankohen ca edhe thonë jo po edhe Dajtin se shohim dot se na e kanë zënë pallatet në Tiranë. Por gjithçka e ka një zgjidhje. Një i njohuri im që është edhe ai një biçim ambientalisti e takova një ditë dhe e pyeta se ku po shkonte. Me këtë rast më dha edhe zgjidhjen: " Do shkoj në Kamëz të takoj ca të afërm që kam atje. Me këtë rast do shoh edhe Dajtin !"

Kishin nxjerrë lajmet se po zbukurohet Liqeni Artificial me ca grataçiela, të bukura sa më s'ka, me drita xixëllonjëse, me fasada si jashtë shtetit ! Shumë bukur. Bravo iu qoftë çunave ! Të punojnë, ta mbarojnë atë projektin francez. Meqë jena të puna e emrave këta çunat që na drejtojnë janë çuna Zotni ! Me këto emrat e huaj që ju vene këtyre veprave të tyre "projekti francez, reformë anglo-saksone, sistemi spanjoll, sistemi dual gjerman etj." Apapapapa po këta janë artista !

Edhe siç po thoja. Po ndërtohen pallatet atje. Një merak me shqetëson. Edhe do e kisha si thirrje. Për ata ndërtuesit, edhe për ata atje lart. Aman vetëm punoni avash-avash ! Ju lutem të mos bëni shumë zhurmë ! Nuk është muhabet ky. Diu, dau, diu, dau, diu, dau ! Po ç'bëni kështu ?! Jeni në terezi ! Qytetarët e zonës janë në gjumë ! Po përse tua prishim gjumin atyre të gjorëve ?! Nuk e meritojnë këtë ndëshkim ! Gjynah. Shumë gjynah. E meritojnë vallë ata gjumashë të nderuar që t'iu deformohen nga zhurmat e makinerive tingujt melodiozë të gërhitjes së tyre masive ?! Pra le të shërbejë ky shkrim si një apel për strukturat vendimmarrëse që të tregojnë përgjegjshmëri. Se për këtë paguhen, që të mos na e prishin gjumin. Se ça mora vesh që u bë një protestë para Kryeministrisë të shtunën në orën 12:00 për ndalimin e ndërtimit të grataçielave të bukura te Liqeni. Thanë se do bëjnë edhe protesta të tjera. Gjynah, janë njerm ata ! Se dinë ça bëjnë ! Ndërkohë duke ju kërkuar sërish të na falni se ju prishëm gjumin, ju urojmë:

GJUMË TË ËMBËL !

*Autori është pjesë e një grupi qytetarësh që kërkojnë ndalimin e ndërtimit në zonën e Digës së Liqenit të Tiranës

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)