Ylli Pata: Gjurma 5 vjeçare e Ilir Metës, një anti-amerikan në krye të shtetit që u shkarkua nga Kuvendi

Ylli Pata: Gjurma 5 vjeçare e Ilir Metës, një anti-amerikan në krye të shtetit që u shkarkua nga Kuvendi

Ilir Meta

Ajo që shënon më fort presidencën e Ilir Metës është është rasti i vetëm i shkarkimit të një kreu shteti nga Parlamenti, në 30 vjet postkomunizëm. Si dhe qëndrimin më antiamerikan që ka mbajtur një zyrtar i lartë që ka mbajtur postin e Presidentit të Republikës.

Ilir Meta është politikani që si asnjë tjetër në vend ka pasur tre postet më të larta të shtetit shqiptar: Kryeministër, kryetar Parlamenti e President. Por trajektorja që ai ka pasur në kurbën në ngritje të posteve të larta i ngjan një EKG-je të një zemre me probleme të theksuara.

Nga një kryeministër energjik, e kryeparlamentar “me qetësi dhe dashuri”, si President, Ilir Meta ka shënuar një rekord krejt të pazakontë të një kryetari shteti. Zakonisht kur politikanë apo zyrtarë të rëndësishëm marrin një post të nivelit kaq të lartë të një vendi, ata përgatisin trashëgiminë e tyre politike, duke lënë më të mirën dhe lënë politikën aktive.

Natyrisht që nuk është ky rasti me Ilir Metën, siç nuk ishte edhe me Sali Berishën, të cilët pas presidencës kanë vijuar të qëndrojnë ngulur në politikën e vendit prej 30 vitesh.

Askush nuk priste që Ilir Meta ta ketë presidencën si stacionin e tij të fundit politik, edhe pse nëse e bënte këtë nuk do të kishte gjë të keqe, duke parë kohën e gjatë të qëndrimit në skenën politike.

Megjithatë, duke ju referuar përvojës së tij në poste të larta, publiku priste një President Republike të një niveli që i përgjigjet eksperiencës së tij të gjatë në drejtim dhe në politikë.

Por, presidenca e Ilir Metës, mund të konsiderohet një nga periudhat, ku edhe pse ka pasur shumë zhurmë, por edhe shumë sherr e tension, nuk ka pasur asnjë akt të rëndësishëm shtetformues që të shënojë një mandat të gjatë pesëvjeçar. Përkundrazi ka pasur akte që kanë minuar ekuilibrin e Republikes, themelit të saj siç janë zgjedhjet. 

E nuk kishte si të shkonte ndryshe, kur kjo Presidencë nisi me turfullim, nisi me një frustacion politik e shantazh të qartë ndaj një pjese politike, pra mazhorancës së Edi Ramës, të cilit Meta i bëri beri edhe pse u zgjodh si President i Republikës me votat e të gjithë deputetëve të Partisë Socialiste.

Të gjithë e mbajnë mend fillimin e verës së vitit 2017. Meta u zgjodh president në kulmin e sherrit mazhorancë opozitë, me çadrën shantazh që opozita kishte ngritur në bulevard që prej shkurtit. E ku PD-ja deklaronte se nuk do të hynte në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.

Për precision, Ilir Meta u zgjodh më 28 prill, kur ndërkohë LSI nuk i ishte përgjigjur pozitivisht Edi Ramës për koalicion parazgjedhor me PS-në, dhe njerëzit e tij përkrahnin çadrën e Berishës dhe Bashës.

Por 3 javë pas zgjedhjes, më 17 maj 2017 ndodhi marrëveshja Rama-Basha, të cilën Meta e kundërshtoi keqas. Dhe të nesërmen shkoi në zyrën e Sali Berishës në 20 katëshin përballë RTSH-së e lidhën marrëveshjen mes tyre.

Në fushatën për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, ku Ilir Meta, edhe pse i zgjedhur President kryesoi takimet e LSI-së ngriti tonet në një nivel të lartë tensioni. Ndërkohë që nga televizionet bënte të ditur se do të rrëzonte Edi Ramën me dekrete, nëse ky fitonte zgjedhjet, nga Lezha bëri thirrje për armatosjen e popullsisë. Si përfundim, arriti që LSI-së t’i japë rreth 250 mijë vota dhe 18 deputetë, shifër që nuk e kishte kapur asnjëherë që nga krijimi i partisë. Por nga zgjedhjet rezultoi se Edi Rama fitoi një mazhorancë solide prej 74 deputetësh, që i bënte 18 deputetët një forcë pa fuqi specifike.

E këtu është realisht çelësi përse Ilir Meta, nga “me qetësi dhe dashuri” në 4 vjetëshin e aleancës me Edi Ramës u kthye në një person vetëm nervoz dhe që kërcënoi që nga sakrifikimi si Salvador Aliende, Vojo Kushi, që do të bënte atentate si Avni Rustemi, e gjëra të tilla të çakërdisura. Ndërsa në 2013-2017 kishte deri në një farë kohe çelësat e qeverisë së Edi Ramës(i humbi pikërisht kur tentoi të bëjë Rexhep Meidanin Kryeministër në verën e 2016-s), pas 2017-s LSI-ja e tij nuk e kishte këtë fuqi politike.

Mirëpo përveç deklaratave të stresuara, kërcënimeve e gjëmave për “juntë ushtarake”  të vendosur në vend e gjëra të tilla, thelbësisht Presidenca e Ilir Metës do të shenjohet jo si një mandate ekuilibri, por si një 5 vjeçar sherri e tensioni.

Më i rëndësishmi i akteve të Metës ka qenë natyrisht dekreti për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit 2019, të cilat i kishte dekretuar vetë disa muaj më parë. Ai dekret nuk u zbatua dhe zgjedhjet u kryen sipas datës së caktuar.

E pikërisht pas këtij dekreti nisi përplasja e fortë, ku për herë të parë nisi procedura e Kuvendit për të shkarkuar një Kuvend të Republikës. Komisioni Parlamentar për të hetuar Ilir Metën u ngrit në vjeshtën e 2019-s, por më pas ju kërkua mendim Komisionit të Venecias. i cili bëri të ditur se Meta kishte tejkaluar Kushtetutën, por dekreti i tij nuk pati efekt sepse zgjedhjet u kryen.

Gjatë mandatit të tij 5 vjeçar Ilir Meta ka shënuar edhe një rekord të ri, refuzimin për të dekretuar ministrat e propozuar nga Kryeministri. Meta refuzoi të dekretojë Sandër Lleshi si ministër të Brendshëm dhe Gent Cakajn si ministër të Jashtëm. Të parin e dekretoi më vonë, të dytin nuk e bëri, por Edi Rama vendosi të qëndrojë ministër i Jashtëm de jure deri sa në këtë post u emërua Olta Xhaçka.

Por fushata për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ishte ajo që solli çakërdisjen fatale të Ilir Metës. Pasi bëri thirrje që njerëzit të marrin sfurqet për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve, ambasadorja amerikane në Tiranë, nëpërmjet një qëndrimi publik i bëri thirrje Ilir Metës që të ndalojë kërcënimet për dhunë, pasi për çdo veprim dhunë do të mbahej përgjegjësi. Stop-tha ambasadorja.

Këtu Ilir Meta mbajti qëndrimin më të rëndë, kur tha aludoi se SHBA është kundër Shqipërisë dhe ai para Amerikës dhe Shqipërinë është me Shqipërinë, tha më pas se SHBA mund ta vriste me raketë në Malin me Gropa, duke shtuar se armë bërthamore nuk ka vetëm Amerika, por edhe Rusia e Koreja e Veriut. Por ky qëndrim antiamerikan i Metës u thellua pas shpalljes së Sali Berishës Non Grata nga qeveria e SHBA. Meta, në një qëndrim politik, bëri të ditur se: “Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë”.

Pas këtyre qëndrimeve, Kuvendi ngriti sërish komisionin hetimor dhe më 9 qershor vendosi shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës me 104 vota. Gjykata Kushtetuese vendosi në shkurt të këtij viti që edhe pse vendimi i Kuvendit ishte në përputhje me Kushtetutën, Meta nuk e kishte shkelur atë.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve