PRISHTINE - Vetëm 500 euro kushton patenta për shofer, edhe atë pa hyrë fare në provim testues. Mijëra shoferë të tillë qarkullojnë rrugëve të Kosovës, me patentë të marrë në mënyrë korruptive, falë një rrjeti të gjerë zyrtarësh të lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës, shkruan “Koha Ditore”.
Kjo mënyrë e pajisjes së shoferëve me patentë është zbuluar nga hetimet e deritashme të Policisë së Kosovës.

Sipas "Kohës" Prokuroria Speciale pa pranuar provat e dorëzuara dhe dëshmia e ekzaminerit Samed Veselit, të cilën dëshmi hetuesja Valdete Gubetini dyshohet se ka dashur ta fshihte.

Veseli ka zbuluar para hetuesve rrjetin e njerëzve që kanë dhënë patentë shoferë të të gjitha kategorive. Ai është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit dhe nuk ka hezituar të tregonte gjithë çfarë ka ditur duke përmendur emra konkretë.

Pavarësisht dëshmisë që ka ofruar, Veseli që ligjeronte dhe ishte përgjegjës për provimet e kandidatëve për patentë, edhe ai vazhdon të mbetet i dyshuar.

Burime nga Policia kanë thënë se të dyshuar janë edhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ish sekretari i MI-së, Skender Gashi, koordinatori i Njësisë së patentë shoferëve, Burim Deliu, Armend Ademi-pronar i kompanisë “Master Print”  që rezulton të jetë vëllai i gruas së ministrit Mujota, si dhe të gjithë udhëheqësit e njësive të patentë shoferëve.

/rg/shqiptarja.com/