Gjuzi: ALUIZNI do ua çojë
tapitë në banesë qytetarëve

Gjuzi: ALUIZNI do ua çojë<br />tapitë në banesë qytetarëve
TIRANE- Kreu i ALUIZNI-t Durrës, Flamur Gjuzi sqaron ecurinë e deritanishme të legalizimeve në këtë Qark, si dhe mënyrën si do procedohet në vijimin për dhënien e certifikatave të pronësisë për qytetarët. Sipas tij në këtë Qark numërohen rreth 73 mijë ndërtime pa leje, ndër të cilat deri tani janë legalizuar 10 mijë.
 
Sapo dorëzuat lejen e 10 mijtë të legalizimit për qytetin e Durrësit, duke lënë pas shumë qytete të tjera, të cilat nuk kanë ecur me këto ritme.
Së pari më duhet të them pa asnjë dyshim, se pa reformën e ligjit të legalizimeve do qe e pamundur të arrinim ritme të tilla. Së dyti, nxitje e madhe për procesin ka qenë çlirimi nga çdo pagesë për ata qytetarë të cilit kishin ndërtuar në tokën e tyre. Sa për degën tonë, gjashtë muaj e parë të punës ia dedikuam tërësisht riorganizimit të arkivave të dosjeve.

Kjo gjë na bëri të ndajmë qartazi ndërtimet në tokë të të tretëve nga ato në tokat ku ndërtuesit qenë vetë pronarë. Me kategorinë e personave që kanë ndërtuar në tokë të vet mund të ecet shumë shpejt, madje ende nuk arrij të kuptoj si nuk u legalizuan gjatë gjithë këtyre viteve. Por edhe ata që kanë ndërtuar në tokë shtet apo me pronar nxituan të përfshihen në proces, menjëherë pasi mësuan se tarifa qe jo më shumë se 20 mijë lekë metri katror, afërsisht katër herë më pak se me ligjin e vjetër.

Të njëjtin efekt pati edhe ndryshimi ligjor që parashikon uljen me 20% të pagesës së truallit nëse kjo bëhet brenda 45 ditësh. Po ju them se vetëm në muajin gusht, Drejtoria e ALUIZNI-t Durrës ka arkëtuar rreth 1 milionë lekë nga pagesat e parcelave ndërtimore. Vetëm për muajt korrik gusht, kemi dhënë 978 leje legalizimi.
 
Një problem tjetër me të cilin përballet procesi i legalizimit në përgjithësi është përplasja me planet urbanistike të bashkive e komunave. Sa përballet Durrësi me këtë ngërç?
Edhe në këtë pikë na erdhën në ndihmë ndryshimet ligjore. Po të merreshin parasysh planet urbanistike, rreth 5 mijë – 6 mijë objekte do përjashtoheshin nga legalizimi. Sa për të sjellë një shembull: zona e Kënetës në planin urbanistik të qeverisë së kaluar përfshihej në Zonën B Arkeologjike, dhe sipas ligjit aty nuk mund të lejohet asnjë ndërtim.

Situata qe tërësisht absurde, pasi edhe nëse dikur ajo mund të konsiderohej zonë arkeologjike, nga vitet 92-93 është ndërtuar pa ndërprerje dhe as që mund të konsiderohet më si e tillë, pasi në realitet nuk ekziston asnjë monument kulture. Pas njohjes së saj si zonë informale u përfshi në proces dhe po ecet shumë shpejt.
 
Ajo që pengon në njëfarë mënyre procesin është regjistrimi i pronave të legalizuar në hipoteka. Pak ditë më parë kreu i ALUIZNI-t tha se po merren masa që procedurat me zyrat e regjistrimit të përgjysmohen në kohë. Cili është raporti i ALUIZNI-t Durrës me hipotekat?
Hipotekat janë një hallkë mjaft e rëndësishme e procesit, pasi një praktikë legalizimi shkon dy herë në zyrat  legalizimi shkon dy herë nëpër zyrat e tyre. Në momentin e parë zyrat e regjistrimit na përgjigjen për statusin juridik të pronës, nëse është ngritur në tokën e vetë pronarit, në tokë shtet, apo në tokën e një pronari tjetër.

Një urdhër i drejtpërdrejtë i kryeministrit i detyron zyrat e regjistrimit të na japin përgjigje brenda tre ditësh për çdo dosje. Në momentin e dytë hipotekat bëjne regjistrimin e pronës në emër të pronarit pas dhënies së lejes së legalizimit nga ana jonë. Kjo është një procedurë që për Drejtorinë tona nuk zgjat më shumë se 7 deri tetë ditë. Me të dyja zyrat vendore kemi pasu një bashkëpunim të shkëlqyer.

Ama nuk ndodh kështu në çdo qark...
Në dijeninë time ALUIZNI dhe ZQRPP po punojnë për një draft i cili së shpejti do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave për Miratim. Drafti parashikon kryerjen e të tëra procedurave me hipotekat nga ana ALUIZNI-t. Pra do jemi ne që do aplikojmë pranë hipotekave për marrjen e certifikatave të pronësisë pas miratimit të lejeve, dhe zyrat e regjistrimit do të na dërgojnë certifikatat. Qytetari nuk do ketë më nevojë të bëjë më asnjë veprim, vetëm do tërheqë certifikatën e përfunduar pranë zyrave tona.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   
 

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve

Milani humbet dy penallti, De Gea hero! Fiorentina fiton 2-1 kundër kuqezinjve