TIRANE- Në Komisionin e Ligjeve është zhvilluar sot seanca dëgjimore me grupet e interesit për pr/ligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative, ndërsa nesër pritet diskutimi nen për nen.  Një javë më parë pr/ligji u miratua në parim nga të dy forcat politike.

Kreu i BiznesAlbania, Luan Bregasi kërkoi miratimin sa më të shpejtë të pr/ligjit si një ndihmesë e madhe për biznesin ndërsa nënvizoi "cilësinë dhe shpejtësnëi në gjykim". Ne mbledhje diskutuan dhe përfaqësues të Shoqatës së Gjyqtarëve, Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Nga ana e qeverisë, pr/ligji mbrohet nga zv ministrja e Drejtësisë Brikena Kasmi, ndërsa nga opozita relator për pr/ligjin është caktuar deputeti Armando Subashi .

Nesër Komisioni i Ligjeve do të vazhdojë diskutimin e amendamenteve që do të propozohen nga Partia Socialiste, e cila javën e kaluar mblodhi dhe tryezën për Gjykatën Administrative.

Në këtë tryezë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama kërkoi që ligji për Gjykatën Administrative të jetë një produkt i të gjitha palëve. “Eshtë e lehtë të ndërtojmë një Gjykatë të re, por ne nuk duhet të ndërtojmë një tjetër degë të industrisë së korrupsionit në Shqipëri.”- deklaroi Rama.

Ne projektligjin e qeverise është parashikuar ngritja e 6 gjykatave administrative dhe një apeli në Tiranë. Hallka e fundit e ankimimit mbetet Gjykata e Lartë. Gjyqtaret do te trajtojnë ekskluzivisht vetëm mosmarrëveshjet administrative e tregetare, duke synuar te zgjidhin ne kohe te shkurtër konfliktet qe aktualisht trajtohen nga Gjykatat e Shkallës së Parë.
(sg/shqiptarja.com)