Një Gjykatë Apeli Federale në Shtetet e Bashkuara ka hedhur poshtë ankesën e presidentit të zgjedhur Donald Trump për të përmbysur vendimin e një jurie të dhënë vitin e kaluar, e cila kishte konstatuar abuzimet seksuale të kryera ndaj shkrimtares E. Jean Carroll në mesin e viteve ’90.
Gjykata e Dytë e Apelit të Shteteve të Bashkuara vendosi që avokatët e presidentit të zgjedhur “nuk kanë treguar se gjykata e shkallës së parë ka bërë gabime në asnjë nga vendimet e kundërshtuara,” raportojnë mediat amerikane duke cituar gjykatën.
Dëmshpërblimi
Juria e gjeti Trump përgjegjës për abuzimin seksual ndaj Carroll në një dhomë prove të dyqanit të madh Bergdorf Goodman në Manhattan në mesin e viteve ’90 dhe konstatoi se, në vitin 2022, ai kishte bërë deklarata shpifëse kundër saj. Juria vendosi që Trump të paguajë Carroll 5 milionë dollarë dëmshpërblim.
Vendimi tjetër
Një juri tjetër, në një proces civil të ndarë, i ka urdhëruar Trump-it të paguajë Carroll, ish-kolumniste e revistës Elle, 83 milionë dollarë. Ankesa e Trump-it ndaj këtij vendimi është ende në shqyrtim.