TIRANE - Kryebashkiaku i Vlorës ka kryer shkelje administrative dhe jo penale. Ky është argumenti që gjykata e apelit ka përdorur në vendimin e saj për Shpëtim Gjikën. Veç kryebashkiakut të PS në Vlorë të pafajshëm janë shpallur nga gjykata e Apelit ish-vartësit e tij Eleni Dardhaj, vartësit tjetër Gentjan Sherifaj, si dhe të pandehurit tjetër Blerdi Liçaj.

Në vendimin e gjykatës thuhet se “bazuar në tërësinë e provave të mara gjatë gjykimit çmohet se veprimet apo mosveprimet e të pandehurve Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardhaj, ballafaquar me elementët e anës objective apo objektit të figurës së krimit që kërkon figura e krimit për të cilin janë akuzuar, jo vetëm që nuk provohen në tërësinë e tyre, por edhe ato që provohen përbëjnë shkelje me karakter administrative dhe jo penal, po të kemi parasysh dhe anën subjective të kësaj figure krimi”.

Më tej gjyqtari Alaudin Malaj, argumenton se gjatë gjykimit nga akuza nuk u paraqit asnjë provë e drejtpërdrejtë që të vërtetonte faktin se në process-verbalet e mbledhjeve të KKRT të datave 24 mars 2010 dhe 15 korrik 2010 janë bërë shtesa nga të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardhaj në një kohë të mëvonshme.

“Nuk provojnë falsifikimin e process-verbaleve as provat e tjera indirekte të paraqitura nga përfaqësuesit e akuzës, sikundër janë ato që pasqyrojnë lidhjen në një kohë të mëvonshme të kontratave të sipërmarjes midis pronarëve të truallit dhe subjekteve ndërtuese, as fakti që kërkesa për shesh dhe leje ndërtimi e pronarëve të truallit Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj, Artan Ferhati me subjekt ndërtues Shqëria “Deco System” nuk është shqyrtuar më parë nga këshilli Teknik, si organ konsultativ i KRRT, as fakti se trualli ku do të ndërtoheshin pallatet në fjalë ka qënë parashikuar zonë e gjelbër, përderisa kryetarit të KRRT, nuk i ndalohet ti paraqesë këtij organi vendimarrës propozime të drejtpërdrejta për dhënie lejesh ndërtimi dhe përderisa ky organ kolegjial i aprovon këto propozime”-argumenton gjykata në vendim e saj që i dha pafajësi 4 të pandehurve.

Akuza, rekurs në Gjykatën e Lartë për dënimin e Gjikës
Megjithëse ka humbur të dyja betejat gjyqësore prokurorët e çështjes shprehen të bindur për fajësinë e kryebashkiakut Gjika. Sipas tyre, shumë shpejt do i drejtohet me një rekurs Gjykatës së Lartë, ku do kërkojnë deklarimin fajtor dhe dënimin e Shpëtim Gjikës dhe personave të tjerë.

Në pretencën e saj prokuroria ka kërkuar për Shpëtim Gjikën 4 vjet burg dhe 3 vjet heqje e të drejtës për ushtrimin e funksioneve publik, për Eleni Dardhaj­ 3 vjet burg dhe 3 vjet heqje e të drejtës për ushtrimin e funksioneve publike dhe për Gentian Sherifaj­ 2 vjet burg si dhe për Blerdi Liçaj 2 vjet e 6 muaj burgim.

Procesi penal ndaj Shpëtim Gjikës u zhvillua në Tiranë për shkak të presionit të vazhdueshëm në Vlorë dhe kushteve të papërshtatshme për të zhvilluar një proces gjyqësor të rregullt. Pas vijimit të gjykimit në Tiranë Gjika u deklarua i pafajshëm nga gjykata vendim ky që u la në fuqi dje edhe nga gjykata e Apelit Tiranë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)