Gjykata e Koresë së Jugut lëshon fletërresti për presidentin Yoon Suk Yeol

Gjykata e Koresë së Jugut lëshon fletërresti për presidentin Yoon Suk Yeol

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol

Një gjykatë në Korenë e Jugut ka lëshuar sot urdhër për arrestimin e presidentit të vendit, Yoon Suk Yeol, dhe për bastisjen e rezidencës dhe zyrës së tij, për dyshimet për kryengritje në lidhje me shpalljen jetëshkurtër të ligjit ushtarak.

Kjo është hera e parë që lëshohet fletarrestim për një president në detyrë në Korenë e Jugut. Megjithatë, ekspertët thonë se ka pak gjasa për arrestim apo bastisje, nëse Yoon nuk shkarkohet nga detyra fillimisht.

Gjykata e Qarkut në Seul dha urdhrin për arrestimin e Yoonit dhe për bastisjen e zyrës presidenciale dhe rezidencës së tij në qendër të Seulit, sipas një komunikate nga Zyra për Hetimin e Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë, e cila po e udhëheq hetimin bashkë me policinë dhe autoritetet ushtarake.

Ajo thotë se po kryen hetim për të parë nëse shpallja e ligjit ushtarak nga Yoon më 3 dhjetor përbën kryengritje.

Sipas ligjit koreanojugor, lideri i një kryengritjeje mund të përballet me dënim me vdekje apo me burgim të përjetshëm, nëse shpallet fajtor.

Kryengritja është njëra prej akuzave ndaj të cilave presidenti koreanojugor nuk ka imunitet.

Yoon u pezullua nga të gjitha detyrat presidenciale pasi u shkarkua nga Parlamenti për shkak se vendosi përkohësisht ligjin ushtarak në vend.

Ligji ushtarak zgjati vetëm disa orë, pasi Parlamenti votoi për ta rrëzuar atë dhe Yoon u tërhoq.

Sipas ligjit, presidenti në Korenë e Jugut lejohet ta shpallë ligjin ushtarak vetëm gjatë kohës së luftës, apo emergjencave të ngjashme, dhe nuk ka të drejtë ta pezullojë punën e Parlamentit qoftë edhe me ligj ushtarak.

Yoon ka ngulur këmbë se shpallja e ligjit ushtarak nga ai ishte vepër e ligjshme, duke e cilësuar atë si paralajmërim për partinë kryesore opozitare, Partia Demokratike, të cilën e ka quajtur “përlindeshe”, duke thënë se ajo e ka përdorur shumicën e saj legjislative për t’i rrëzuar zyrtarët e lartë dhe për ta minuar buxhetin e Qeverisë.

Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut pritet të vendosë për shkarkimin apo kthimin në detyrë të Yoonit.

Ekspertët thanë se Yoon me shumë gjasë do ta shpërfillë fletarrestimin. Yoon i ka shpërfillur tashmë kërkesat e vazhdueshme nga hetuesit për t’u marrë në pyetje, ndërsa shërbimi presidencial i sigurisë nuk i ka lejuar ata ta kontrollojnë as zyrën e as rezidencën e Yoonit, duke u thirrur në ligjin që ndalon bastisjet në vendet ku ka sekrete shtetërore.

Yoon Kap-keun, avokat i presidentit, e quajti fletarrestimin të “pavlefshëm dhe jashtëligjshëm”.

Shërbimi presidencial i sigurisë ka thënë se do t’i ofrojë siguri Yoonit në përputhje me ligjin.

Agjencia kundër korrupsionit ka thënë se nuk ka plane të menjëhershme se si t’i zbatojë urdhrat për arrestim dhe bastisje ndaj tij.

“Nëse Yoon nuk i lejon vullnetshëm ta arrestojnë, atëherë nuk ka mënyrë se si ata mund ta arrestojnë”, tha Choi Jin, drejtor i Institutit për Lidership Presidencial në Seul./REL

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Francë/ Mbledhja e parë të Këshillit të Ministrave të qeverisë Bayrou, Marcon bëri thirrje për guxim dhe stabilitet

Francë/ Mbledhja e parë të Këshillit të Ministrave të qeverisë Bayrou, Marcon bëri thirrje për guxim dhe stabilitet