Presidenti i Koresë së Jugut mbrojti të enjten vendimin e tij për të vënë në fuqi ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme duke e quajtur një akt qeverisjeje dhe hodhi poshtë akuzat për rebelim, duke denoncuar përpjekjet e opozitës për shkarkimin e tij dhe hetimet për vendimin e tij të javës së kaluar.
Deklarata Presidentit Yoon Suk Yeol në televizion erdhi disa orë përpara se Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës, të paraqiste një mocion të ri për shkarkimin e tij.
Partia e opozitës planifikon ta hedhë mocionin për votim të shtunën. Përpjekja e saj e mëparshme për të miratuar shkarkimin e zotit Yoon dështoi të shtunën e kaluar, pasi ligjvënësit e partisë në pushtet bojkotuan një votim në Asamblenë Kombëtare.
Dekreti për vendosjen e ligjit ushtarak që Presidenti Yoon nënshkroi më 3 dhjetor ka shkaktuar kaos politik dhe protesta që kërkojnë rrëzimin e tij.
"Unë do të luftoj deri në fund, për të mos lejuar forcat dhe grupet kriminale përgjegjëse për paralizimin e qeverisë së vendit dhe cenimin e rendit kushtetues të vendit që të kërcënojnë të ardhmen e Republikës së Koresë," tha zoti Yoon.
Ai tha se vendimi i tij kishte për qëllim të mbronte demokracinë e vendit dhe rendin kushtetues përballë partisë liberale të opozitës, e cila ai thotë se ka paralizuar shtetin ligjor dhe kërcënuar kushtetutën.
Zoti Yoon tha se dekreti i tij ishte një akt qeveritar që nuk mund të bëhet objekt hetimesh dhe nuk përbën rebelim. Të mërkurën, zyra e tij i rezistoi një përpjekjeje të policisë për të kontrolluar kompleksin presidencial.
Fokusi kryesor i hetimit është të përcaktojë nëse zoti Yoon dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë dhe qeveritarë të përfshirë në vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme kryen rebelim, një dënim për rebelim mbart një dënim maksimal me vdekje.
Në fillim të kësaj jave, ish-ministri i mbrojtjes i zotit Yoon u arrestua nën akuzat se kishte luajtur një rol kyç në rebelim dhe për keqpërdorim të pushtetit.
Ai u bë personi i parë i arrestuar zyrtarisht për dekretin e ligjit ushtarak. Kim, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Presidentit Yoon, është akuzuar se i sugjeroi zotit Yoon vendosjen e ligjit ushtarak dhe dërgimin e trupave në Asamblenë Kombëtare për të mos lejuar ligjvënësit që të votojnë për të.
Megjithatë në sallën e parlamentit hyri një numër i mjaftueshëm ligjvënësish për të votuar njëzëri për të hedhur poshtë dekretin e zotit Yoon, duke e detyruar Kabinetin ta shfuqizonte atë përpara në më pak se 24 orë./VOA