TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u la sërish në burg seancën e 1 shkurtit, ndonëse kishte kërkuar lehtësim mase me argumentin se nuk ka rrezik për prishjen e provave, pasi çështja ka kaluar në gjykatë. Por, ndryshe argumentuan prokurorët e SPAK të cilët kërkuan vazhdimin e paraburgimit të Veliajt pasi sipas tyre ekziston rreziku që i ai të prishë provat, por ky nuk ishte i vetmi argument.

Report Tv ka arritur të zbardhë një pjesë nga audio e seancës ku u shqyrtua kërkesa e kryebashkiakut për zëvendësim mase, ku parashtrohen ndër të tjera edhe disa prej argumenteve të prokurorit të çështjes Ols Dado. Ky i fundit, ankohet para gjyqtares Etleva Deda, për Joshua Roberts avokatin amerikan të kontraktuar nga Veliaj.  

Dado dëgjohet të thotë se Veliaj ka paguar “një fushatë lobimi” në Amerikë prej 221 mijë dollarësh, e cila sipas tij ka shkuar deri në nivelet më të larta politike-administrative të SHBA. Dado dëgjohet të thotë se qëllimi i Veliajt me kontraktimin e këtij avokati amerikan nuk është që të mbrohet juridikisht, por të deligjitimojë organet që po gjykojnë aktualisht çështjen dhe të shmangë procesin penal ndaj tij.

“Mbrojtja nga procesi penal dhe jo mbrojtja në procesin penal duket se është synimi kryesor i të pandehurit Erion Veliaj gjatë këtyre muajve të hetimit paraprak por dhe të gjykimit në seancë paraprake”, dëgjohet Ddao të thotë në seancë, ndërsa shton se “prokurorët e SPAK, por edhe gjyqtarë janë cilësuar si anëtarë aktivë të një partie që i përket opozitës në Shqipëri.”

Madje, Dado shkon edhe më tej në seancë duke kujtuar deklaratat e Veliajt se ai është në konflikt interesi në këtë çështje, pasi ka marrë leje ndërtimi për pallat nga Bashkia e Tiranës, duke thënë se është cilësuar si i lidhur me interesa të ngushta zhvillimore ndërtuese.

"Kjo është një situatë që krijon një klimë ndikimi jo vetëm tek organet e drejtësisë dhe aq më tepër mund të imagjinojmë efektin që krijon tek dëshmitarët por dhe tek dëshmitarët e drejtësisë që janë pjesë jetike,  thelbësore e këtij procesi", ka thënë Dado në seancë. 

Në seancën e 1 shkurtit, Veliaj ka refuzuar avokaten e caktuar kryesisht nga gjykata dhe ka kundërshtuar çdo formë mbrojtjeje të realizuar prej saj, duke argumentuar se ajo nuk ka njohje reale mbi dosjen penale.

Pjesë nga audio në seancën për Veliajn

Ols Dado: Përtej argumenteve që paraqiti prokurori i çështjes, do të doja t’i sjell gjykatës në vëmendje gjykatës që gjatë kësaj periudhe, jemi vënë në dijeni pasi elementë të ri në lidhje me nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, të nenit 163 në lidhje me kushtet e përcaktimit të masës së sigurimit personal, jemi vënë në dijeni për një fushatë lobimi të shtetasit Erion Veliaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një fond financimi rreth 221 mijë dollarë. Nga burimet të hapura, është një shkrim, ka shumë shkrime, por do të doja që këtë gjykata ta shqyrtonte si prove. Në gjykimin tonë kjo fushatë lobimi e cila ka shkuar deri në nivelet më të larta politike administrative të Shteteve të Bashkuara nuk përbën një mbrojtje juridike për veprimtari të funksionit politik, synon deligjitimimin e organeve që po gjykojnë aktualisht çështjen dhe tregon vullnetin e të pandehurit për të shmangur procesin penal.

Pra mbrojtja nga procesi penal dhe jo mbrojtja në procesin penal duket se është synimi kryesor I të pandehurit Erion Veliaj gjatë këtyre muajve të hetimit paraprak por dhe të gjykimit në seancë paraprake. Për ne është një element shumë I rëndësishëm që tregon që klima e krijuar në raport me prokurorinë e posaçme, por dhe me gjyqtarin në hetim paraprak. Të mos harrojmë këtu që nga burime të hapura gjithashtu, këta aktorë të sistemit të drejtësisë, pra edhe prokurorë të prokurorisë së posaçme, por edhe gjyqtarë janë cilësuar si anëtarë aktivë të një partie që I përket opozitës në Shqipëri. Janë cilësuar të lidhur ose të paktën vetëm prokurori me interesa të ngushta zhvillimore ndërtuese. Kjo është një situatë që krijon një klimë ndikimi jo vetëm tek organet e drejtësisë dhe aq më tepër mund të imagjinojmë efektin që krijon tek dëshmitarët por dhe tek dëshmitarët e drejtësisë që janë pjesë jetike,  thelbësore e këtij procesi. Ju falemidnerit

Olsi Dado: Po në lidhje … zonja kryetare prokuroria e posaçme nuk e di se sa do të ishte me vend që ndoshta I ka paraqitur I pandehuri vendimin e  gjykatës së shkallës së parë

Gjyqtarja: Faktikisht nuk janë elemente kryesisht por nëse i keni shumë mirë.

Ols Dado: Ne I kemi sepse na është dashur neve për t’u orientuar si dhe aktin ose dokumentin që sapo cituam nga burime të hapura por dhe tre urdhrat e pasqyrimit të ndryshimeve të veprës penale

Gjyqtarja: Po që pasqyrojnë….

Ols Dado: Që pasqyrojnë ndryshimet ose më saktë rëndimin e pozitës juridike të pandehurit pas momentit të zbatimit të masës së sigurimit arrest me burg më 10 shkurt 2025.

Në seancën e 1 shkurtit ku u shqyrtua kërkesa e Veliajt për zëvendësim të masës së sigurisë, prokurori Ols Dado flet për “lobim amerikan” duke iu referuar avokatit nga SHBA të kontraktuar nga kryebashkiaku. Dado thotë se Veliaj synon deligjitimimin e organeve që po gjykojnë çështjen.