Gjykata e Lartë në Londër bllokoi për momentin ekstradimin nga Anglia të pesë të kërkuarve të drejtësisë shqiptare nën dyshim e përfshirjes në vrasjen e Ardian Nikulajt në Prill 2023, në Shëngjin.

Ky është vendimi gjykatësit Justice Swift disponuar nga gazetari Top Channel, Muhamed Veliu, ku pranon kërkesën për mos tu ekstraduar në Shqipëri të Thomas Mithan, Harriet Bridgeman, Harry Simpson, Steven Hunt dhe Edmond Haxhisë, i cili sipas Prokurorisë së Lezhës ishte organizatori i vrasjes.

Sipas vendimit dhënë paraditen e kësaj të premteve, gjykatësi Justice Swift ka pranuar argumentin e mbrojtjes se ish-sekretarja e shtetit për Punët e Brendshme, Yvette Cooper, nënshkroi një urdhër ekstradimi me akuzat e vjetra për vrasje për gjakmarrje, e cila u ndryshua në vrasje në bashkëpunim me paramendim.

Në të tilla argumente që kishte, gjykatësi i shpalli urdhër-arrestet të kthyera në urdhra ekstradimi si të pavlefshme.

Një tjetër argument i pranuar nga gjykata lidhet me garancitë e dhëna prej prokurorëve të Lezhës se pestë të kërkuarit nuk do të akuzohen për gjakmarrje.

Kjo garanci thuhet në vendim nuk ka më forcë vepruese pasi të dy prokurorët që e kanë lëshuar nuk janë më pjesë e drejtësisë shqiptare pasi u larguan prej vetting-ut.

Top Channel pyeti prokurorinë britanike e cila në këtë rast përfaqëson interesat e shtetit shqiptarë se çfarë ndodh pas këtij veprimi.

Një zëdhënës tha se “në emër të Republikës së Shqipërisë, është dhënë njoftim për synimin për të kërkuar leje për të paraqitur ankesë në Gjykatën e Supreme sipas nenit 114 të Aktit të Ekstradimit 2003”.

I njëjti zëdhënës  konfirmoi se Haxhia, Mithan, Simpson dhe Hunt do të vijojnë të mbahen më paraburgim ndërsa Bridgeman e lirë me kusht./ Top Channel