Gjykata e Lartë ka shpallur thirrjen publike për paraqitjen e shprehjes së interesit nga gjyqtarët që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), në kuadër të përtëritjes së përbërjes së këtij organi kushtetues.
Sipas njoftimit, më 12 dhjetor 2026 përfundojnë mandatin e plotë pesëvjeçar tre anëtarë të KLGJ-së, një i zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë, një nga gjykatat e apelit dhe një nga Gjykata e Lartë.
Në zbatim të nenit 9 të ligjit nr. 115/2016, Kryetari i Gjykatës së Lartë ka shpallur më 26 qershor 2026 thirrjen për paraqitjen e kandidaturave. Gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin kërkesën e tyre me shkrim deri më 13 korrik 2026.
Kandidatët, krahas shprehjes së interesit, duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës. Ky dokumentacion përfshin, ndër të tjera, CV-në e përditësuar, deklaratat e mbështetjes nga gjyqtarë të tjerë, formularin e vetëdeklarimit, platformën personale të objektivave, deklaratat për integritetin dhe informacionin mbi konfliktin e mundshëm të interesit.
Dokumentet mund të dorëzohen në adresën elektronike [email protected] ose me postë pranë Gjykatës së Lartë, në adresën: Rruga “Ibrahim Rugova”, Nr. 20, 1001, Tiranë.
Në përfundim të njoftimit, Gjykata e Lartë u bën thirrje të gjithë gjyqtarëve që plotësojnë kriteret ligjore të shprehin interesin për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KLGJ-së, me synimin për të garantuar një përbërje të bazuar në profesionalizëm, integritet dhe besueshmëri.
Njoftimi i Gjykatës së Lartë:
Në datën 12.12.2026 përfundojnë mandatin e plotë 5 vjeçar 3 (tre) anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga të cilët 1 (një) anëtar i zgjedhur nga rradhët e gjyqtarëve të gjykatës së shkallës së parë, 1 (një) anëtar i zgjedhur nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të apelit si dhe 1 (një) anëtar nga Gjykata e Lartë.
Referuar nenit 9 të ligjit nr. 115/2016, Kryetari i Gjykatës së Lartë, me anë të këtij njoftimi publik, shpall sot në datë 26 qershor 2026 thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për anëtarë të KLGJ-së nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë, të gjykatave të apelit dhe të Gjykatës së Lartë.
Brenda datës 13 korrik 2026 gjyqtarët e interesuar duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Bazuar në nenin 10, pika 3 të ligjit nr. 115/2016, të ndryshuar, kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, bashkë me shprehjen e interesit, duhet të paraqesin edhe dokumentet e mëposhtme:
a) jetëshkrimin e përditësuar;
b) deklaratat individuale të gjyqtarëve që i kanë mbështetur, të nënshkruara rregullisht, sipas këtij formati: https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/urdher_Deklarat_individuale_mbeshretjes_KLGJ_af4b5bf782.docx
c) formularin e vetëdeklarimit, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, sipas këtij formati: https://gjykata-media.s3.eu-central-1.amazonaws.com/Formular_vetedeklarimi_per_zbatimin_e_Ligjit_138_2015_Per_garantimin_e_integritetit_te_personave_qe_zgjidhen_emerohen_ose_ushtrojne_funskione_publike_6bcc6ad5a8.pdf
ç) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin në qoftë se zgjidhen;
d) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk kanë qenë anëtarë ose bashkëpunëtorë të shërbimeve të inteligjencës përpara 2 korrikut 1991, sipas këtij formati:
dh) një deklaratë individuale të nënshkruar, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete;
e) informacion mbi të afërmit e shkallës së dytë, ungj/emtë, nip/mbesë, gjysh/gjyshe, gjysmë vëlla/motër dhe të afërmit e shkallës së parë të bashkëshortit/bashkëjetuesit, prindër, fëmijë dhe vëllezër/motra që ushtrojnë në mënyrë aktive profesionin e avokatit ose janë pronarë ose drejtues ekzekutivë në subjektet ekonomike, të cilat klasifikohen si tatimpagues të mëdhenj nga autoriteti tatimor. Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton dhe vë në dispozicion të të interesuarve një formular tip për dhënien e këtij informacioni, sipas këtij formati: https://klgj.al/media/d2umenli/vendim-nr-277-dat-01-07-2021-p-%C3%AFr-miratimin-e-formularit-n-%C3%AF-zbatim-t-%C3%AF-nenit-10-t-%C3%AF-ligjit-postuar-m-14-07-2021.pdf
ë) listën e personave të lidhur, të përcaktuar në ligjin për “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.
Ju bëjmë thirrje të gjithë gjyqtarëve që të shprehin interesin e tyre për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ me qëllim përtëritjen e përbërjes së këtij organi kushtetues me gjyqtarë që garantojnë profesionalizëm dhe besueshmëri.
Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese mund të bëhen në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën postare të Gjykatës së Lartë:
Rruga “Ibrahim Rugova”, Nr. 20, 1001, Tiranë.
Komente








