Këshilltari i PS në Bashkinë Tiranë, Alfred Muharremi dhe avokati Klodian Reçi diskutuan sot në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv mbi vendimin e Gjykatës së Lartë që la në qeli kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, pavarësisht një vendimmarrjeje të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese e cila kërkonte sqarim se pse masa e arrestit me burg ishte proporcionale në raport me detyrën si kryebashkiak.
Muharremi tha se vendimi i Gjykatës ishte surprizë, pasi sipas tij kryebashkiaku Veliaj duhet të ishte i lirë dhe të drejtonte Bashkinë e Tiranës.
Ai theksoi se me burgosjen e Veliajt punët në Bashkinë e Tiranës janë ngadalësuar, teksa shtoi se Gjykatat nuk kanë përdorur të njëjtin standard për Veliajn, si për kryebashkiakët e tjerë që janë nën hetim.
Muharremi tha gjithashtu se masa e sigurisë duhet të vendoset duke peshuar edhe rrezikshmërinë që personi nën hetim mund të ketë. Sipas tij, Veliaj duhet të hetohej i lirë, pasi nuk është një person me rrezikshmëri të lartë.
“Bashkia e Tiranës është ende pa kokë. Bashkia Tiranë vazhdon ende që të mos ketë një drejtim dhe një menaxhim në mënyrë të shtrirë, të maksimizimit të punëve të saj. Për mua vendimi i Gjykatës së Lartë ishte surprizë. Unë nuk e kam kuptuar asnjëherë këtë masë shtrëngeuse që i është bërë zotit Veliaj. Unë e kam thënë edhe para 7-8 vitesh që këtu Gjykatat shqiptare këtë masën e arrestit me burg e kanë më të lehtë për ta dhënë. Këtu duhet të futet edhe parimi i prezumimit të pafajësisë, si dhe të vendoset në peshë edhe rrezikshmëria që personi mund të ketë. Këtu kjo gjykatë nuk ka përballë një vrasës serial apo kartel droge, por një individ të dyshuar për shpërdorim detyre apo korrupsion. Pra nuk kemi të bëjmë me një individ që ka treguar një rreikshmëri të lartë shoqërore. Bashkia Tiranë do të ketë zgjedhjet vendore në 2027-ën, por deri në 2027-ën qytetarët e Tiranës duhet të marrin një përgjigje sesi do të vijohet të drejtohemi. E vuajmë vazhdimisht në lidhje me kërkesat e vazhdueshme që i dërgojmë aparatit të bashkisë Tiranë, që ka një ngadalësim të ritmit të punës. Ne jemi mësuar që të jemi në punë 24 orë. Quhemi ndryshe si urgjencë. S’po përdoret i njëjti standard. Ne kemi disa kryebashkiakë të tjerë që janë nën hetim për korrupsion dhe po hetohen të lire”, tha mes të tjerash Muharremi.
Surprizues vendimin e Gjykatës së Lartë e cilësoi edhe avokati Klodian Reçi. Ai tha se çështja e kryebashkiakut Veliaj është kthyer në një çështje shumë teknike dhe sipas tij, Gjykata e Lartë ka përdorur një hile teknike për të marrë vendimin e sotëm.
Reçi shtoi gjithashtu se Gjykata e Lartë nuk ka marrë parasysh detyrën e Veliajt si kryebashkiak, në mënyrë që të caktonte ndaj tij një masë më të lehtë sigurie, me qëllim vijimësinë e punëve në Tiranë. Në përfundim Reçi tha se vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë nuk është çështje vendimmarrje individuale, por një handikal ligjor, pasi sipas tij, kodi penal në Shqipëri është një ‘kod fashist’.
“Ishte një vendim surprizë. Unë do ta konsideroja edhe si një hile edhe pak teknike, sepse çështja e Veliajt është bërë shumë teknike. Flitet për gjëra konkrete shumë teknike që edhe qytetarët nuk i kuptojnë drejtë. Pra bëhet fjalë që nuk është në të njëjtën pozitë siç janë kryebashkiakë të tjerë për akuza të rëndomta siç janë ‘shpërdorimi i detyrës’. Bëhet fjalë për afera korruptive në 13 raste dhe gjatë hetimeve janë shtuar edhe akuza të tjera si ajo e pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë. Nëse Gjykata e Lartë ka pasur në fokus Veliajn si i pandehur, atëherë vendimmarrja është e drejtë. Por duke pasur parasysh vendimin e Kushtetueses që është ndalur shprehimisht në një parim që doli nga rasti Berisha, parimi i proporcionalitetit… Gjykata e Lartë, përpos handikapit ligjor, sepse është problem ligjor sot në Shqipëri. Ne në Shqipëri kemi kod penal fashist”, tha mes të tjerash Reçi.








Komente
Komento