Gjykata e Lartë në SHBA miraton ndalimin e TikTok! Vendimi hyn në fuqi më 19 janar

SHBA - Gjykata Supreme amerikane ka konfirmuar ligjin që ndalon TikTok në SHBA nga 19 janari 2025, duke refuzuar kërkesën e kompanisë për të hequr këtë normë në emër të lirisë së shprehjes.

Kundër këtij ndalimi kishte shprehur mendimin edhe presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili ka bërë të ditur në një intervistë për CNN se kjo çështje do t’i takojë atij: “Në fund do të më takojë mua, do të shohim çfarë do të bëjmë. Kongresi më ka dhënë mua detyrën për të vendosur, prandaj do ta vendos unë.”

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se kjo do t’i kalojë administratës së ardhshme.

TikTok duhet të mbetet i disponueshëm për amerikanët, por thjesht nën pronësi amerikane ose pronësi tjetër që të trajtojë shqetësimet për sigurinë kombëtare të identifikuara nga Kongresi gjatë zhvillimit të këtij ligji,” ka thënë zëdhënësja Karine Jean-Pierre.

“Duke marrë parasysh thjesht faktin e kohës, kjo administratë e pranon se veprimet për të zbatuar ligjin duhet thjesht t’i kalojnë administratës së ardhshme, që do të marrë detyrën të hënën,” shpjegoi ajo.

Gjykata Supreme vendosi unanimisht që Kongresi ka vepruar në mënyrë kushtetuese kur i kërkoi kompanisë ByteDance që të shiste TikTok brenda 19 janarit ose të përballej me ndalimin e aplikacionit në SHBA.

Vendimi i gjykatës hap mundësinë e ndalimit të platformës, që në SHBA ka 170 milionë përdorues, nga e diela, në prag të marrjes së detyrës nga Trump.

Në javët e fundit janë përhapur spekulime mbi të ardhmen e TikTok-ut, përfshirë edhe mundësinë e shitjes së aplikacionit te Elon Musk. Një nga mënyrat e mundshme për të lejuar që TikTok të vazhdojë të operojë është një urdhër ekzekutiv nga Trump që t’i lejojë të mbetet aktiv ndërkohë që kërkohet një blerës i ri.

Urdhri që presidenti i zgjedhur po mendon do të pezullojë ndalimin dhe do t’i lejojë TikTok-ut dhe administratës të fitojnë kohë për të gjetur një zgjidhje. Trump kishte kërkuar nga Gjykata Supreme që t’i jepte kohë për të zgjidhur çështjen sapo të merrte detyrën.

K.M/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Dita Botërore e Picës, 'Tgcom24' interviston picajolin shqiptar në Brescia, Endrit Rustemin! 34-vjeçari: Majaja dhe mielli shpëtimi im

Itali/ Dita Botërore e Picës, 'Tgcom24' interviston picajolin shqiptar në Brescia, Endrit Rustemin! 34-vjeçari: Majaja dhe mielli shpëtimi im