Gjykata e Lartë vulos “Gërdeci”-n
si "aksident teknologjik", asnjë fajto

Gjykata e Lartë vulos “Gërdeci”-n<br />si
TIRANË - Kanë dalë sot shpjegimet e vendimit për gjyqin e shpërthimit të uzinës së demontimit të Gërdecit. Gjykata e Lartë ka vulosur përfundimisht çështjen, duke e cilësuar atë që ka ndodhur, jo si një vrasje të shumëfishtë, siç e nisi akuzën Prokuroria e drejtuar nga Ina Rama, për ta zbutur në një ”aksident teknologjik”, që shmang të gjitha rrethanat rënduese.

Ky vendim është identik me atë çka kishte shpallur më parë ish-kryeministri Sali Berisha, aq sa të krijohet bindja se edhe verdikti gjyqtarëve u është diktuar prej tij.
Në fakt, lajmi për këtë vendim është dhënë pak ditë më parë. Trupi gjykues, i përbërë nga Tom Ndreca, Admir Thanza, Shkëlzen Selimi, Medi Bici dhe Ardian Nuni, vendosi mospranimin e rekursit, të paraqitur nga të gjitha palët në gjykim për dosjen “Gërdeci”.

Gjyqtarët Tom Ndreca, Admir Thanza, Shkëlzen Selimi, Medi Bici dhe Ardian Nuni vendosin që tragjedia e Gërdecit është një aksident teknologjik. Kështu argumentohet në relacionin mbi 100 faqe të anëtarëve të trupit gjykues.

Sipas relacionit të bërë tashmë publik, Gjykata e Lartë mendon se në rastin e shpërthimit të fabrikës së Gërdecit nuk kemi të bëjmë me vrasje me dashje, sepse askush nga të pandehurit nuk ka synuar këtë pasojë, vdekjen e 26 personave dhe rrafshimin e disa fshatrave. Sipas trupit gjykues, tragjedia është shkaktuar nga moszbatimi i rregullave të sigurisë teknike në punë dhe fajtorë për këtë ngjarje, ku u vranë 26 persona, janë punëdhënësit.

Një vendim ky kontradiktor, pasi, gjatë shpërthimit të fabrikës së Gërdecit, nuk kanë gjetur vdekjen vetëm punonjësit e fabrikës, por edhe fëmijë që luanin në oborrin e shtëpisë si Erison Durda apo dhe 3-vjeçari Flavio Deliu. Për këtë raste, Gjykata e Lartë as që denjon të shprehet.

Gjithashtu, anëtarët e trupit gjykues kanë vendosur se gjykimi i shkurtuar për të pandehurit, fakt ky që është pranuar vetëm në Gjykatën e Apelit, është i drejtë, pasi, për ta, çdo i pandehur që pranon të “kursejë” ekonominë gjyqësore, ka të drejtë të përfitojë nga ulja e dënimit. Edhe ky arsyetim i trupit gjykues është nonsens, pasi të fituarit në këtë proces dolën vetëm të pandehurit, që aktualisht janë të lirë, ndërsa familjarët e viktimave të Gërdecit ende janë në kërkim të drejtësisë, edhe pse ky proces ka vijuar për plot vjet në gjykatat shqiptare.

Gjithashtu, veç arsyetimeve skandaloze, skandal është edhe fakti që vendimi i Gjykatës së Lartë nuk ka kaluar përmes një debati gjyqësor mes palëve. Në raste të ngjashme, kur analizohen faktet dhe kur bëhet thellim në interpretimin e ligjit, gjithmonë palët janë prezent në proces, duke garantuar një gjykim të drejtë të çështjes. Me këtë vendim të zbardhur të Gjykatës së Lartë, i është vënë kapak dosjes së Gërdecit, ku ende ka familjarë që kërkojnë drejtësi dhe fajtorë që po shijojnë jetën dhe i janë rikthyer biznesit të tyre.

Dhe, çka është më e rëndë, me gjithë shkeljet ligjore, të cilat janë konstatuar në zbardhjen e vendimit të Gjykatës së Lartë, duket se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka ndërmend ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme thotë se do të analizojë vendimin, por fakt është se askush nuk beson më në dhënien e drejtësisë për këtë dosje.

APELI
Gjykata e Apelit, në vendimin e dhënë në shkurt të këtij viti, praktikisht u dhuroi lirinë të akuzuarve kryesorë të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgjit, Dritan Minxollit dhe Ylli Pinarit. Në vendimin e dhënë, treshja gjykuese, e kryesuar nga Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri, ka dhënë vendim të formës së prerë, që parashikonte ulje të dënimit për ish-kreun e kompanisë MEICO, Ylli Pinari, ish-administratorin e kompanisë “Albademil” sh.p.k, Mihal Delijorgji dhe ish-drejtorin e fabrikës së demontimit të armëve, Dritan Minxolli.

Të tre të akuzuarit kanë përfituar ulje të dënimit me një të tretën, pasi Gjykata e Apelit ka vendosur të aplikojë përfundimisht gjykimin e shkurtuar. Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka shpallur fajtor gjeneralin Zija Bahja, i cili është ndër të paktët ushtarakë që është dënuar për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Konkretisht, gjenerali Bahja, nga i pafajshëm që ishte shpallur në Gjykatën e Shkallës së Parë, është dënuar me 8 vite burg, por nuk do të qëndrojë fare në qeli, pasi vendimi për të është pezulluar.

Përsa u përket të pandehurve të tjerë, Agim Babameto, Rezart Tërshana dhe Besnik Dauti, të cilët kishin marrë pafajësi në Gjykatën e Shkallës së Parë, Apeli vendosi nga një vit burg për Babameton dhe Tërshanën dhe 3 vite burg për Dautin, por përkohësisht dënimi ndaj tyre është pezulluar.

Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për: Agim Lala, i pafajshëm, Ardian Mullai, i pafajshëm, Shkëlzen Madani, 3 vite burg, Dashnor Çaushi, 3 vite burg, Armand Tartari, 1 vit burg, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha me 6 vite burg. Ky i fundit prej kohësh është larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Prokurorja Ina Rama i kërkoi gjykatës që të deklarojë 28 persona fajtorë, mes të cilëve edhe shoqërinë “Albademil”. Tragjedia e Gërdecit, më e rënda e ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, u regjistrua më 15 mars 2008. Nga shpërthimi i një fabrike demontimi vetëm pak kilometra larg kryeqytetit humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, ndërkaq dëmet materiale kapën shifrën e miliona eurove. Në këtë mënyrë, Gjyqësori shqiptar merr mbi vete edhe njollën e radhës.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania