Ish-deputeti i Partisë Socialiste Alfred Peza, tashmë sekretar për marëdhëniet me mediat në PS ka marrë pafajësi për akuzat e ngritura nga prokuroria e Tiranës. Vendimi i pafajësisë është dhënë ditën e premte nga gjyqtari i Tiranës Artan Gjermeni, i cili gjatë një prononcimi për Shqiptarja.com, konfirmoi se Alfred Peza ishte shpallur i pafajshëm.

“Po është e vërtetë që ka marrë pafajësi. Prokuroria shkriu tre akuzat e ngritura më parë në një akuzë të vetme, atë të “deklarimit të rremë të pasurisë”, dhe pas një gjykimi të shkurtuar gjykata konkludoi me dhënien e pafajësisë”-tha gjyqtari Gjermeni. 

Prokuroria e Tiranës i zbut akuzat e ngritura më parë ndaj tij, duke mos u marrë aspak me veprat penale që lidhen me mënyrën se si i ka krijuar 1 milion dollarë. Më pas, gjyqtari Artan Gjermeni e shpall të pafajshëm sapo ai u zgjodh Sekretar për Median i Partisë Socialiste.

Peza u akuzua nga prokuroria se kishte krijuar në mënyrë të dyshimtë një pasuri në cash, prej 1.1 miliardë lekë, të cilat i kishte investuar duke blerë aksione në një bankë të nivelit të dytë.

Alfred Peza është emëruar së fundmi si sekretar për Median në Partinë Socialiste, vendim ky që u mor në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të kësaj partie pak ditë më parë.