TIRANE-“Nuk kam pasur kurrë përkrahje politike dhe në vitin 1997 kam luftuar krimin, ka pasur raste që në shtëpi kam shkuar dhe 1 herë në muaj, ndaj sot jam i gatshëm të shërbejë kudo që do më caktojnë”.

Ishin këto fjalët e para të Edmond Kosenit,  i cilësuar si “komisari i hekurt” që pas 11 viteve këtë të premte fitoi betejën ligjore për t’u rikthyer në detyrë në të njëjtin pozicion e gradë që ka mbajtur deri në vitin 2005, vit kur u pezullua për shkelje ligjore e dhunë ndaj personit.

Koseni fitoi sot të gjitha betejat ligjore me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, duke i detyruar këto institucione ta sistemojnë në punë dhe t'i kthejnë pagat mujore për 11 vitet e lëna pa punë.

Sot Gjykata e Tiranës nxori një urdhër ekzekutimi për kthimin në detyrë të Edmond Kosenit me gradën që ka patur para pezullimit në vitin 2005.

Ka qenë gjyqtarja Teuta Hoxha që ka nxjerrë urdhër ekzekutimi për rikthimin e Kosenit në detyrë dhe dëshmpërblimin me pagat e 11 viteve për "Komisarin e ‘Hekurt’.

Urdhri i ekzekutimit detyron Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, për ta sistemuar Kosenin në punë dhe për t'i paguar detyrimet financiare që lidhen nga data 1 dhjetor 2015 e deri në momentin e ekzekutimit të vendimit të gjykatës.

[gallery]19719[/gallery]
Flet Koseni: S'kam perkrahje politike, fitova me djerse!
Vetë Edmond Koseni i pranishëm në seancën e urdhër ekzekutimit i pyetur nga ReportTv u shpreh se nga sot është i gatshëm të shërbejë në polici ku ta caktojnë. Ai theksoi se shpreson që ministri Tahiri dhe drejtori i policisë Haki Cako ta pranojnë në polici dhe të respektojnë vendimin. Duke u ndalur tek pezullimi i tij i një dekade më parë Koseni sqaroi se ka qenë i padrejtë çka u provua dhe nga kalvari i gjyqësor që në fund e shpalli atë të pafajshëm. Ai nuk fsheh simpatine per Policine aktuale shqiptare, duke u shprehur se kjo Polici është e aftë të jetë ne nivelet e policise amerikane e gjermane.