"Ismail Morina të ekstradohet në Serbi". 

Ky është vendimi i Gjykatës së Dubrovnikut në Kroaci, e cila ka vendosur dërgimin e Ballistit përpara drejtësisë serbe. Ismail Morina i cili njihet me nofkën "Ballisti", është tifozi i "çmendur" i kombëtares shqiptare dhe u bë i njohur për autorësinë e ngritjes së dronit në Beograd në nëntor të vitit 2014, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Ai është arrestuar në Kroaci një muaj më parë pasi u ndalua në pikën e kalimit kufitar pa dokumente identifikimi, ndërsa pas verifikimeve ka rezultuar se kërkohej në Serbi.

Morina ka dalë tre ditë më parë në gjykatën e Shkallës së Parë të Dubrovnikut, ku togat e zeza kanë vendosur ekstradimin e tij në Serbi.

Drejtësia serbe prej afro dy vitesh në emër të këtij shtetasi ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, lidhur mbi ngjarjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri ku ngritja e një droni me një baner të mbishkruajtur Autochtonous solli trazira në stadium dhe më pas ndërprerjen e ndeshjes.

Shqipëria fitoi në tavolinë 0:3 atë takim, çka bëri që kuqezinjtë të hidhnin një hap të rëndësishëm në kualifikimin për herë të parë në Europianin e Francës.

Ismail Morina u arrestua edhe në Tiranë në tetor të 2015-ës, pak ditë para ndeshjes së kthimit me Serbinë, pasi u kap me armë pa leje. 

Pas këtij vendimi të gjykatës kroate, i menjëhershëm ka qenë reagimi i familjarëve të Ballist Morinës, të cilët kanë deklaruar se do të vetëflijohen nëse familjari i tyre do ekstradohet në Serbi.

“Tifozat Kuq e Zi”: Protestë masive para kryeministrisë për Ballistin
 Tifo grupi “Tifozat Kuq e Zi”, kanë thirrur protestë ditën e sotme në orën 19:00, para kryministrisë për të nxitur kryeministrin që të reagojë për Ballistin.
 
Me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook tifogrupi “Tifozat Kuq e Zi”, shprehen se “nesër duhet të tregojmë se jemi bashkë, të tregojmë se jemi shumë, të tregojmë se jemi me Ballistin, të tregojmë se ne do e bëjmë luftën tonë për ta mbrojtur dhe lartësuar Ballistin”.
 
Statusi i “Tifozave Kuq e Zi” në Facebook
Të gjithë u ndjemë krenar mbrëmjen e 14 Tetorit kur mbi qiellin e Beogradit u ngritën heronjtë tanë mbi një dron. Të gjithë iu gëzuam tre pikëve të Beogradit.
 
Këto ndjenja na i dhuroj Ismail Ballist Morina por ai prej asaj dite edhe pse një hero për shqiptarët vetëm është endur burgjeve dhe gjykatave.
 
Më e fundit është se Kroacia ka pranuar ekstradimin e tij drejt Serbisë.
 
Nesër duhet të bashkohemi në një protest masive përballë kryeministrisë për të kundërshtuar këtë vendim dhe për të nxitur kryeministrin të reagoj për Ballistin.
 
Duhet të tregojmë se jemi bashkë, të tregojmë se jemi shumë, të tregojmë se jemi me Ballistin, të tregojmë se ne do e bëjmë luftën tonë për ta mbrojtur dhe lartësuar Ballistin.
 
Pa dallim feje, krahine e tifogrupi nesër duhet të jemi aty bashkë dhe sa më të shumtë në numër.
29.07.2017
Te Kryeministria
Ora : 19:00

tifozat kuqezi per ballistin
Statusi i "Tifozave Kuq e Zi" në Facebook

Reagon FSHF: Shteti të ndërhyjë për ta penguar
Federata Shqiptare e Futbollit ka reagur në lidhje me ekstradiminin e Ballist Morinës nga Kroacia në Serbi.
 
FSHF i ka bërë thirrje autoriteteve përkatëse dhe institucioneve që të ndërhyjnë brenda kornizës ligjore për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi.
 
Gjithashtu FSHF deklaron se ka nisur kontaktet me autoritetet shqiptare për të parë dhe operuar cdo mundësi që ekziston deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit, në mosekstradimin e tij drejt Serbisë.
 
Reagimi i FSHF-së për ekstradimin e Ballist Morinës
FSHF e angazhuar për zgjidhjen e çështjes Morina!
 
FSHF reagon publikisht dhe i bën thirrje të hapur autoriteteve përkatëse dhe institucioneve që të ndërhyjnë brenda kornizës ligjore për të ndaluar ekstradimin e Ismail Morinës në Serbi.
 
Menjëherë pas publikimit në media të lajmit për vendimmarrjen e Gjykatës së Dubrovnikut në Kroaci për Ismail Morinën, i ndaluar ditë më parë, FSHF ka nisur menjëherë edhe interesimin e saj të drejtpërdrejtë për ti dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë këtij problemi shumë të ndjeshëm për tifozët dhe shqiptarët kudo qe ndodhen.
 
FSHF është plotësisht e angazhuar ti shkojë deri në fund një cështjeje të tillë, duke shfrytëzuar të gjitha rrugët dhe hapësirat e saj institucionale dhe diplomatike për të riparë edhe një herë këtë rast.
 
FSHF është duke u marrë intensivisht me këtë problem, duke siguruar vetë Ismail Morinën, familjen, por edhe të gjithë tifozët shqiptarë që do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i jepen në mënyrë që një dicka e tillë të mos realizohet dhe ku hapësira ligjore ankimuese në Apel të mundësojë edhe abrogimin e vendimit të Shkallës së Parë.

Ndërkaq, Federata ka nisur menjëherë kontaktet edhe me autoritetet shqiptare për të parë dhe operuar cdo mundësi që ekziston deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit, në mosekstradimin e tij drejt Serbisë.

Flet për Report Tv vëllai i Ballistit: Po e çojnë si 'cjapi te kasapi'
​Xhevair Morina, i vëllai i Ismail Morinës i njohur për autorësinë e ngritjes së dronit me flamurin “Autochtonus” në stadiumin e Beogradit më nëntor të vitit 2015, shprehet se Ballistin po e çojnë si "cjapi te kasapi". 

Vendimi i gjykatës kroate për ekstradim në Serbi është marrë tre ditë më parë. 

Gjatë një lidhje telefonike për Report Tv, i vëllai paralajmëron se nëse Ismaili ekstradohet, atëherë familja do të marrë një vendim shumë radikal. Ai i bën apel shtetit shqiptar të ndërhyjë pasi në Serbi Ismailit i rrezikohet jeta. 

Ai theksoi se seanca vendimtare për fatin e Ballistit do mbahet në datën 11 gusht.

"Gjykata kroate ka vendosur ta ekstradojë. Kemi apeluar vendimin dhe gjyqi është në datën 11 gusht. Jemi plotësisht të braktisur nga shteti shqiptar. 

I bëj thirrje shtetit shqiptar të ndërhyjë dhe të pengojë ekstradimin në Serbi. Përndryshe ne do bëjmë një gjë shumë radikale. Ne si familje do bëjmë shumë radikale gjë që do të habiten të gjithë ata. 

Në Serbi Ismailin po e çojnë si "cjapin te kasapi". Presidenti i sapozgjedhur të ngrejë zërin për shtetasit e tij.

Askush nga shteti shqiptar nuk është interesuar. 

Ai erdhi në Shqipëri për varrimin e babait dhe duke u kthyer e arrestuan",
deklaroi Xhevair Morina. 

Ismail Morina u ndalua një muaj më parë në Kroaci, ndërsa tre ditë më parë gjykata e Dubrovnikut ka vendosur ekstradimin në Serbi, ku është lëshuar një urdhër arresti pas ngritjes së dronit tre vjet më parë. 

Ndërkohë pas bujës mediatike, ministri Demiraj ka kontaktuar me autoritetet në Kroaci për një gjykim të drejtë të Morinës.

Redaksia Online
Er.K/l.q/Shqiptarja.com