TIRANE-Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha nuk justifikon pasurinë. Ky është përfundimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në seancën dëgjimore që u zhvillua sot. Edhe pse jo zyrtarisht, Hoxha pritet që të ketë fatin e kolegëve të tij, Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj, që u shkarkuan.

Relatoja Alma Faskaj u shpreh se sipas ILDKPKI, gjyqtari nuk ka bërë deklarim të rremë dhe se pasurinë e ka nga burime të ligjshme, por KPK ka bërë hetimin e vet, nga ku rezultoi se Hoxha ka një apartament 2+1, 112 m2 në Tiranë me vlerë 140 mijë e 450 euro, ndërsa ka marrë kredi si i pastrehë. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjyqtari nuk justifikon një shumë prej 17 milionë lekësh.

ILDKPI na ka sjellë përgjigje për gjyqtarin Fatmir Hoxha se ka bërë deklarim të saktë, burime të ligjshme, nuk ka fshehur pasurinë dhe se nuk ka bërë deklarim të rremë. Komisioni ka bërë hetim të thelluar për pasurinë, burimet e krijimit, të ardhurat dhe fshehjet e pasurisë. Gjyqtari ka apartament 2+1, 112 m2 në Tiranë me vlerë 140 mijë e 450 euro. Gjyqtari ka marrë kredi të bute si i pastrehë. Vlera e kredisë së butë 5 mln lekë. Nga disa përllogaritje gjyqtari ka mos përputhje të burimeve të pasurisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Përsa i përket figurës së gjyqtarit, Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar ka konstatuar se është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën. KPK thekson se ndaj gjyqtarit janë depozituar 3 denoncime nga qytetarët. Pas fjalës së relatores, avokati Mërtiri ka mbrojtur klientin e tij (gjyqtari nuk ishte ne seance) duke thënë se Fatmir Hoxha e ka blerë apartamentin me kredi dhe një borxh nga kunati, ndërsa një pjesë të parave që sipas KPK nuk justifikohen e ka siguruar nga dy dasmat. Avokati deklaroi se gjyqtarit 275 mijë lekë të reja ia kanë hedhur në dasmë, dhe kjo mund të vërtetohet sipas tij me kasetën e dasmës së vitit 2003, të cilat i dorëzoi, por nuk u pranuan si provë nga trupa gjykuese.

Gjyqtari ka qenë bashkëpunues me KPK-në. Apartamentin, gjyqtari e ka blerë me kredi dhe një borxh të marrë nga kunati në vlerën e 28 mijë eurove. Gjyqtari lekët e shtëpisë i ka bërë cash por ai i ka deklaruar pranë ILDKPI. Nga dy dasmat e bëra gjyqtari ka grumbulluar vlera monetare dhe dhurata.  Në 2003 është pretenduar një shumë që nuk justifikohet, por nga një dasmë tradicionale është shumë normale shuma e lënë nga miqtë dhe të afërmit.

Hoxha, nga 2011 është emëruar anëtar i Kushtueses, në Shkodër ka shitur një banesë bashkë me orenditë, shuma i përket banesës dhe orendive. Përsa i përket borxhit të marrë, ende nuk është shlyer, bashkë me një kredi të marrë. Kredia e butë është marrë sipas një vendimi të qeverisë si një nga funksionarët e lartë, ishte i pastrehë, pasi vinte nga Shkodra. Kredia është marrë për të blerë banesën në Tiranë. Borxhi kunatit është marrë për apartamentin dhe është shlyer.

Avokati i gjyqtarit, Julian Mërtiri

Deri tani nga gjykata Kushtuese, vettingu ka shkarkuar Fatos Lulon dhe Altina Xhoxhajn, ndërsa Vitore Tusha e kaloi. Kujtojmë që Besnik Imeraj u dorëhoq, ndërsa gjykata është bllokuar duke mos marrë asnjë vendim.

Procesi i Vettingut përfshin kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve të lartë, të afërmve të tyre, por edhe lidhjet që ata kanë pasur gjatë ushtrimit të detyrës me persona me “background” kriminal.

Gjyqtari Fatmir Hoxha

Seancë dëgjimore për Fatmir Hoxhën
Trupa Gjykuese              
Xhensila Pine
Valbona Sanxhaktari
Alma Faskaj

Rezultatet e vettingut deri tani
Fatos Lulo-i shkarkuar
Besim Treshnjeza-i shkarkuar
Besa Nikëhasani-e shkarkuar
Altina Xhoxhaj-e shkarkuar
Vitore Tusha-e kaloi
Fatjona Memçaj-e kaloi